Në Tiranë, më 21–22 shtator 2026, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në kuadër të angazhimit të saj për forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe ndërakademik, po përfaqësohet në Asamblenë XIII të Përgjithshme të Unionit të Akademive Evropiane për Shkencat e Aplikuara në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA) dhe në simpoziumin shkencor shoqërues me temën “Bujqësia e qëndrueshme evropiane dhe menaxhimi i balancuar i burimeve natyrore”.
Veprimtaria dyditore, e cila po zhvillohet më 21 dhe 22 shtator 2026 në Tiranë, ka mbledhur përfaqësues të akademive, universiteteve dhe institucioneve kërkimore evropiane për të diskutuar sfidat bashkëkohore që lidhen me bujqësinë e qëndrueshme, sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e burimeve natyrore.
ASHAK-u përfaqësohet nga nënkryetari, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe anëtari korrespondent Enver Hamiti, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar pjesëmarrësve, akademik Fejzullah Krasniqi, në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të kryetares së ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka Pula, përcolli përshëndetjet dhe urimet për punime të suksesshme të Asamblesë dhe të simpoziumit.
Ai falenderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për organizimin e kësaj veprimtarie dhe vlerësoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të përbashkëta për dialog dhe shkëmbim shkencor ndërmjet institucioneve akademike evropiane.
Duke iu referuar temës së simpoziumit, akademik Krasniqi theksoi se siguria ushqimore, mbrojtja e mjedisit, përdorimi racional i burimeve natyrore dhe zhvillimi i qëndrueshëm kërkojnë vëmendje të shtuar, veçanërisht përballë ndryshimeve klimatike dhe presioneve në rritje mbi tokën, ujin dhe biodiversitetin. Sipas tij, zhvillimi i bujqësisë së të ardhmes duhet të mbështetet në një ekuilibër ndërmjet produktivitetit, ruajtjes së mjedisit dhe mirëqenies së komuniteteve rurale.
Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet akademive, universiteteve dhe institucioneve kërkimore për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e ekspertizës dhe formulimin e zgjidhjeve të mbështetura në evidencë shkencore. Po ashtu, theksoi mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shkencat bujqësore, mbrojtjen e mjedisit, energji, teknologji dhe menaxhimin e burimeve natyrore.
Akademik Krasniqi ritheksoi gatishmërinë e ASHAK-ut për të kontribuar në nismat e përbashkëta në kuadër të UEAA-së dhe në forcimin e dialogut shkencor evropian.
Pjesëmarrja e ASHAK-ut në këtë veprimtari është pjesë e angazhimit institucional të Akademisë për zgjerimin e bashkëpunimit me akademitë dhe institucionet homologe, për promovimin e shkëmbimit shkencor dhe për kontributin në trajtimin e sfidave që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm.
Në mbledhjen e sotme, Asamblea gjenerale e UEAA-së zgjodhi anëtar korrespondent Enver Hamitin anëtar vëzhgues në Komitetin drejtues.
