Nënkryetari i ASHAK-ut mori pjesë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e ndarjes së titullit Doctor Honoris Causa për Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi

Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Fejzullah Krasniqi, me ftesë të Rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, mori pjesë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e ndarjes së titullit Doctor Honoris Causa për Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.

Ky titull nderi iu nda në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe përkushtimin shumëvjeçar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, vlerave demokratike dhe dinjitetit njerëzor. Përmes angazhimit të tyre të vazhdueshëm, Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës dhe në mbështetjen e popullit të saj gjatë periudhave vendimtare të historisë së Kosovës.

Ceremonia në Universitetin e Prishtinës përbën një moment të veçantë nderimi dhe mirënjohjeje për dy personalitete që, ndër vite, kanë qenë zë i fuqishëm në promovimin e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kontributi i tyre lidhet veçanërisht me përpjekjet për të mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit të vlerave demokratike.

Pjesëmarrja e akademik Fejzullah Krasniqi në këtë ceremoni dëshmon rëndësinë që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës i kushton bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë dhe vlerësimit të personaliteteve që kanë dhënë kontribut të çmuar për Kosovën dhe për promovimin e vlerave universale të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.