Më 10 korrik 2026, kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), akademike Justina Shiroka Pula dhe nënkryetari i ASHAK-ut, akademik Fejzullah Krasniqi, me ftesë të Rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, morën pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të Prishtina International Summer University 2026, kushtuar shënimit të 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ngjarja u mbajt me temën “The United States Semiquincentennial – 250 Years as a Beacon of Democracy for the World”, duke sjellë në vëmendje rëndësinë historike të 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre në promovimin e vlerave demokratike, lirisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Aktiviteti u organizua nga Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Bordin e Shkëmbimit Arsimor Shtetet e Bashkuara të Amerikës–Kosovë (USKEB), dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, akademikë, profesorë, studentë dhe mysafirë të shumtë.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të ASHAK-ut në këtë aktivitet dëshmon përkushtimin e Akademisë për të mbështetur nismat akademike dhe shkencore që promovojnë dialogun ndërkombëtar, vlerat demokratike dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
