Akademik Arsim Bajrami mori pjesë në takimin konsultues të organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), kushtuar prezantimit të të dhënave dhe listave preliminare të viktimave të luftës në Kosovë.
Ky është një proces me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, juridike dhe historike. Dokumentimi i saktë i viktimave nuk është vetëm një detyrim institucional, por edhe një obligim moral ndaj atyre që sakrifikuan jetën dhe ndaj familjeve të tyre. E vërteta e dokumentuar është mbrojtja më e fuqishme kundër mohimit, relativizimit dhe rishkrimit të historisë.
Në diskutimin e tij Akademik Bajrami theksoj se, krahas përfundimit të regjistrit shtetëror të viktimave, ka ardhur koha që Republika e Kosovës të ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm: hartimin dhe miratimin e një Ligji për Kujtimin dhe Nderimin e Martirëve dhe Viktimave të Luftës.
Një ligj i tillë do të siguronte bazën juridike për ruajtjen e kujtesës shtetërore, për memorializimin, edukimin e brezave të rinj dhe mbrojtjen e së vërtetës historike. Asnjë martir, asnjë civil i vrarë, asnjë person i zhdukur me dhunë dhe asnjë viktimë e luftës nuk duhet të mbetet jashtë kujtesës institucionale të Republikës së Kosovës.
Ruajtja e kujtesës është pjesë e identitetit kushtetues dhe shtetëror të Kosovës. Një shtet që nderon me dinjitet viktimat e tij ndërton një të ardhme më të drejtë, më demokratike dhe më të sigurt.

