ASHAK-u ndan Shpërblimin mbështetës për vitin 2025

Më 25 qershor 2026 në mjediset e ASHAK-ut u mbajt ceremonia për ndarjen e Shpërblimit mbështetës 2025, që e ndan Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Në fillim të ceremonisë fjalën përshëndetëse e mbajti kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka-Pula, e cila mes tjerash potencoi faktin se me ndarjen e këtij çmimi, ASHAK-u e tregon përkushtimin për vlerësimin e të arriturave të shkencëtarëve të rinj, duke e bërë promovimin e arritjeve të tyre shkencore. Ajo e përgëzoi laureatin e Shpërblimit mbështetës 2025, dr. sc. Donard Gecin për të arriturat e tij shkencore të deritanishme në lëmin e biologjisë.

Më pastaj, anëtari korrespondent Fetah Podvorica, anëtar i Komisionit përzgjedhës për ndarjen e Shpërblimit mbështetës të ASHAK-ut për vitin 2025, në fjalën e tij njoftoi për rrjedhën e punës së komisionit dhe paraqiti të arriturat e laureatit.

Ai tha se Komisioni përzgjedhës për ndarjen e Shpërblimit mbështetës të ASHAK-ut për vitin 2025, në përbërje prej: akademike Justina Shiroka-Pula, akademik Besnik Krasniqi, anëtar korrespondent Fetah Podvorica dhe anëtar korrespondet Nysret Krasniqi, i kanë shqyrtuar me kujdes të gjitha materialet e kandidatëve që kanë konkurruar në konkurs.

Kanë konkurruar gjithsejt 16 kandidatë dhe se pas shqyrtimit të detajuar të kontributit shkencor të secilit kandidat, komisioni ka arritur në përfundim se kandidati dr. sc. Donard Geci, ass. në Departamentin e Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore të Universitetit të Prishtinës (i lindur më 6 nëntor 1992 në Istog), i plotëson më së miri kriteret e konkursit për të qenë laureat i Shpërblimit mbështetës, për arsyet në vijim:

Dr. sc. Donard Geci i ka përfunduar studimet e rregullta në Departamentin e Biologjisë të FSHMN-së të UP-së në vitin 2016. Studimet Master në Biologji i ka përfunduar në vitin 2018 në Departamentin e Biologjisë. Gjatë këtyre studimeve ka qenë 6 muaj në Universitetin e Konstanzës në Gjermani në kuadër të programit për shkëmbim të studentëve Erasmus +. Studimet e doktoratës në lëminë e Biologjisë i ka përfunduar në vitin 2023 në Departamentin e Biologjisë të FSHMN-së të UP-së në kuadër të programit të doktoratës për Organizmat e gjallë dhe ekologji.

Prej tetorit të vitit 2019 ka filluar punën si asistent në të njëjtin institucion. Në vitin 2024 ka qëndruar disa muaj në Universitetin e Graz-it në Austri për studime të pasdoktoratës.

Gjatë studimeve të doktoratës dhe pas përfundimit të tyre kur i është bashkangjitur grupit hulumtues në kuadër të Departamentit të Biologjisë, ka qenë shumë aktiv në punën kërkimore-shkencore.

Dr. sc. Donard Geci deri më tani i ka 48 publikime të botuara në platformat kryesore të revistave shkencore Web of science dhe Scopus, prej të cilave 16 syresh si autor i parë.

Ai ka marrë pjesë në 10 konferenca shkencore ndërkombëtare, si dhe në disa projekte shkencore vendore dhe ndërkombëtare.

Në platformën Scopus i ka 293 citime dhe e ka indeksin Hirsch 10”.

Pas kësaj paraqitje për punën dhe kontributin shkencor të dr. sc. Donard Gecit, kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka-Pula ia ndau atij Shpërblimin mbështetës të ASHAK-ut për vitin 2025.

Në fund të ceremonisë dr. sc. Donard Geci e falenderoi ASHAK-un për mbështetjen dhe promovimin e të arriturave të shkencëtarëve të rinj, si dhe për vlerësimin e rezultateve të tij shkencore.