Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më 18 qershor 2026, u mbajt dita e parë e Tryezës së Rrumbullakët Shkencore me temën “Identifikimi i fushave të interesit të përbashkët kërkimor në Gjeoshkenca”, e organizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Tryezën e hapi anëtari korrespondent Enver Hamiti, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit kërkimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fusha me interes të përbashkët në gjeoshkenca, si dhe nevojën për krijimin e projekteve konkrete ndërinstitucionale, harmonizimin e të dhënave dhe përfshirjen e studiuesve të rinj në iniciativat e përbashkëta shkencore.
Të pranishmit i përshëndeti Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka Pula, e cila në fjalën e saj mbështetëse vlerësoi rëndësinë e kësaj tryeze për intensifikimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy institucioneve dhe për identifikimin e prioriteteve të përbashkëta shkencore në fushën e gjeoshkencave.
Në tryezë ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Fejzullah Krasniqi, i cili me kontributin e tij të vlefshëm mbështeti zhvillimin e diskutimeve dhe theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit shkencor ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Me një fjalë përshëndetëse pjesëmarrësve iu drejtua edhe akademiku i asociuar Rrapo Ormeni, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të studimeve të përbashkëta në fushën e gjeorreziqeve, zonimit sizmik dhe vlerësimit të riskut sizmik, si çështje me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë.
Në punimet e sesionit të parë u paraqitën dhe u diskutuan tema me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë, duke përfshirë gjeologjinë strukturore, tektonikën dhe evolucionin gjeodinamik, gjeorreziqet, zonimin sizmik dhe riskun sizmik në hapësirën mbarëshqiptare, ndryshimet klimatike dhe ndikimet e tyre territoriale, burimet ujore ndërkufitare dhe infrastrukturën kritike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të inteligjencës artificiale, teknologjive GIS, teledetektimit dhe modelimit 3D në gjeoshkenca. Në këtë kuadër u paraqitën mundësitë e përdorimit të platformës Google Earth Engine dhe të satelitëve Copernicus Sentinel për monitorimin e përmbytjeve, rrëshqitjeve, deformimeve të terrenit, ujërave, mbulesës bimore, cilësisë së ajrit dhe ndryshimeve të përdorimit të tokës në Kosovë dhe Shqipëri.
Gjithashtu, u trajtuan sfidat dhe mundësitë që lidhen me mineralet kritike, zhvillimin e qëndrueshëm, rehabilitimin e zonave të degraduara nga aktivitetet minerare dhe konceptin e tranzicionit post-minerar. Diskutimet evidentuan nevojën për krijimin e databazave të harmonizuara, zhvillimin e platformave të përbashkëta gjeohapësinore dhe përgatitjen e projekteve të përbashkëta kërkimore me pjesëmarrje në programet evropiane të financimit.
Dita e parë e tryezës shërbeu si një forum i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave shkencore, paraqitjen e rezultateve aktuale kërkimore dhe identifikimin e drejtimeve prioritare për bashkëpunim të mëtejmë ndërmjet institucioneve akademike dhe kërkimore të Kosovës dhe Shqipërisë.


