Vizitë zyrtare e delegacionit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) në Odën Ekonomike të Kosovës

Në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), delegacioni i ASHSH-së, i udhëhequr nga akademik Skënder Gjinushi, akademike Anila Hoda, sekretare shkencore, si dhe akademik Anastas Angjeli, së bashku me Kryetaren e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka-Pula dhe nënkryetarin, akademik Fejzullah Krasniqin, zhvilloi një vizitë në Odën Ekonomike të Kosovës, ku u prit nga Kryetari i saj, z. Lulzim Rafuna.

Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe komunitetit të biznesit, promovimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik. Palët shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta në interes të zhvillimit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Akademik Anastas Angjeli, si ekonomist i njohur, bisedoi edhe për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH-në) dhe politikat fiskale me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet shkencës, arsimit dhe ekonomisë.