Takim i Kryetares së ASHAK-ut me Nënkryetaren e Akademisë Polake të Shkencave në Varshavë

Gjatë vizitës zyrtare në Varshavë, Poloni, më 28 maj 2026, Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), akademike Justina Shiroka-Pula, së bashku me akademik Besnik Krasniqin, zhvilluan një takim me Nënkryetaren e Akademisë Polake të Shkencave (PAN), Prof. Dr. DSc Natalia Sobczak.

Në këtë takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy akademive, me theks të veçantë në zgjerimin e bashkëpunimit shkencor me institutet kërkimore të Akademisë Polake të Shkencave në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Bashkëbiseduesit shqyrtuan mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e përvojave akademike dhe zhvillimin e programeve të mobilitetit për studiuesit dhe hulumtuesit e të dy institucioneve.

Po ashtu, u vlerësua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në funksion të avancimit të kërkimit shkencor dhe të krijimit të rrjeteve të qëndrueshme ndërmjet komuniteteve akademike të Kosovës dhe Polonisë.

Prof. Sobczak shprehu gatishmërinë e Akademisë Polake të Shkencave për të intensifikuar bashkëpunimin me ASHAK-un, ndërsa palët mirëpritën mundësinë e një vizite të përfaqësuesve të PAN-it në Kosovë, me qëllim konkretizimin e nismave të përbashkëta dhe identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit në të ardhmen.