Më 28–29 maj 2026, Seksioni i Shkencave të Natyrës i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Seksioni i Shkencave të Natyrës dhe Teknike i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bashkëorganizuan me sukses punimet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të III me temë “Uji si burim i energjisë dhe mbrojtja e mjedisit: Balanca drejt së ardhmes së qëndrueshme”.
Ky aktivitet i rëndësishëm, i zhvilluar në ambientet e ASHAK-ut në Prishtinë, mblodhi së bashku studiues, ekspertë të njohur dhe përfaqësues të institucioneve kryesore nga Kosova dhe Shqipëria.
Në fjalën e tyre hapëse dhe përshëndetëse, Nënkryetari i ASHAK-ut, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe akademik Besnik Baraj nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, vuri theksin te nevoja emergjente për një bashkëpunim të ngushtë dhe komplementar midis komuniteteve shkencore të të dy vendeve, me synim avancimin dhe dinamizimin e mëtejmë të kërkimeve shkencore në ketë fushë. Pjesëmarrësit nënvizuan se Kosova dhe Shqipëria ndajnë ekosisteme të përbashkëta dhe sfida të ngjashme mjedisore, andaj zgjidhjet strategjike nuk mund të jenë të izoluara, por duhet të kenë karakter mbarëkombëtar dhe ndërdisiplinor.
Gjatë seancave shkencore të konferencës u prezantuan gjithsej 33 punime shkencore.
Përfundimet Kryesore të Konferencës
Në mbyllje të punimeve, paneli organizues dhe kërkuesit shkencorë dolën me një sërë përfundimesh kyçe mbi gjendjen aktuale dhe alternativat e zhvillimit:
Në mbyllje të punimeve, paneli organizues dhe kërkuesit shkencorë dolën me një sërë përfundimesh kyçe mbi gjendjen aktuale dhe alternativat e zhvillimit:
– Ndërlidhja Ujë-Energji dhe Tranzicioni Gjelbër: U analizuan sfidat energjetike të Kosovës që lidhen me varësinë nga termocentralet me qymyr (linjit) dhe trysninë që kjo shkakton mbi burimet ujore. Si zgjidhje premtuese për dekarbonizimin e ekonomisë u vlerësuan teknologjitë e reja si sistemet fotovoltaike lundruese, turbinat e erës dhe prodhimi i hidrogjenit të gjelbër.
– Gjendja Ekologjike e Pellgjeve Ujore: Rezultatet treguan se disa pellgje të lumenjve në Kosovë përballen me degradim ekologjik si pasojë e shkarkimeve të ujërave të zeza të patrajtuara, mbetjeve industriale dhe aktiviteteve bujqësore, ku bujqësia mbetet konsumuesi dhe ndotësi më i madh i ujërave të ëmbla. Për këtë arsye, u theksua rëndësia e përdorimit të bioindikatorëve (si komunitetet e peshqve dhe makroinvertebrorët bentikë) për vlerësimin afatgjatë të cilësisë së ujit.
– Teknologjitë Inovative të Monitorimit: Konferenca vuri në pah rëndësinë e monitorimit të bazuar në të dhëna përmes teknologjive të avancuara, përfshirë përdorimin e sensorëve dhe nanosensorëve për detektimin e metaleve të rënda dhe mbetjeve farmaceutike. Gjithashtu, u prezantuan qasje inovative të monitorimit satelitor përmes platformës Google Earth Engine dhe të dhënave Sentinel-2.
– Menaxhimi i Përmbytjeve dhe Ndryshimet Klimatike: Duke marrë shkas nga të dhënat mbi intensitetin e përmbytjeve në Shqipëri gjatë dekadave të fundit (të ndikuara nga urbanizimi i pakontrolluar, degradimi i sistemeve kulluese dhe çpyllëzimi), u kërkua kalimi nga qasjet tradicionale drejt zgjidhjeve të bazuara në natyrë dhe planifikimit të integruar territorial.
Rekomandimet e Konferencës
Mbi bazën e këtyre përfundimeve, konferenca miratoi pesë rekomandime strategjike për institucionet e të dy vendeve:
1. Krijimi i një Platforme të Përhershme Shqipëri–Kosovë për kërkimin shkencor në fushën e ujërave, energjisë dhe mjedisit, duke institucionalizuar bashkëpunimin ndërmjet akademive, universiteteve dhe instituteve publike.
2. Zhvillimi i Programeve dhe Projekteve të Përbashkëta Kërkimore me karakter rajonal dhe evropian, duke rritur konkurrueshmërinë për thirrjet në programe si Horizon Europe, Interreg, IPA, etj.
3. Forcimi i Sistemeve të Monitorimit dhe Shkëmbimit të të Dhënave, përmes ngritjes së mekanizmave të koordinuar që integrojnë biomonitorimin, sensorët inteligjentë dhe vëzhgimin satelitor.
4. Promovimi i Qasjeve të Integruara për politikat ujë–energji–mjedis, duke mbështetur investimet në energji të ripërtëritshme dhe zgjidhjet e bazuara në natyrë për menaxhimin e përmbytjeve dhe thatësirave.
5. Investimi te Brezi i Ri i Studiuesve, duke zgjeruar programet e shkëmbimit të studentëve e doktorantëve dhe duke krijuar mekanizma për shfrytëzimin e përbashkët të laboratorëve dhe infrastrukturës kërkimore.
Deklarata Përmbyllëse dhe Veprimet në Vijim
Në përfundim, pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë që rezultatet e arritura të shërbejnë si një bazë solide për thellimin e bashkëpunimit shkencor dypalësh dhe zgjerimin e tij në nivel ballkanik dhe evropian.
Në frymën e këtij bashkëpunimi, u përkrah qëndrimi që konferenca e radhës lidhur me pasuritë ujore të organizohet në Tiranë, me temën: “Menaxhimi i integruar i burimeve ujore në Shqipëri dhe Kosovë në kuadër të politikave mjedisore të BE”.



