Delegacioni i ASHAK-ut, vizitë zyrtare në Tiranë, takim me përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Në datën 2 mars 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u prit për një vizitë zyrtare delegacioni i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), i përbërë nga kryesia e re. Takimi u mbajt me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërakademik dhe institucional ndërmjet dy institucioneve më të larta shkencore në hapësirën shqiptare.

Delegacioni i ASHAK-ut përbëhej nga kryetarja akad. Justina Shiroka-Pula, sekretari shkencor akad. Bardh Rugova, si dhe sekretari i Seksionit të Shkencave Shoqërore akad. Frashër Demaj.

Në ditën e parë të vizitës zyrtare delegacioni u prit nga kryetari i ASHSH-së akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarët e kryesisë së Akademisë. Pjesë e takimit ishte edhe zëvendëskryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet pranë Kuvendit të Shqipërisë znj. Evis Kushi.

Gjatë takimit me kryesinë e ASHAK-ut, kryetari i ASHSH-së akad. Gjinushi theksoi se aktivitetet kryesore i zhvillojmë së bashku në bazë të protokollit dhe se fokusi kryesor janë projekti i enciklopedisë shqiptare dhe ngritja e dy qendrave elitare në nano e bioteknologji. Në takim u diskutua për konkretizimin e bashkëpunimit shkencor ndërmjet dy akademive, nëpërmjet projekteve të përbashkëta kërkimore. Të dyja palët vlerësuan rëndësinë e intensifikimit të komunikimit dhe bashkërendimit në fusha me interes të përbashkët, duke theksuar rolin e institucioneve akademike në mbështetje të proceseve zhvillimore dhe politikave publike në ekonomi dhe arsim.

Znj. Evis Kushi shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin për zgjedhjen e akad. Shirokës si kryetare e ASHAK-ut me bindjen se ajo do t’i japë një impuls te ri si rritjes së punës nga ASHAK-u, ashtu dhe bashkëpunimit me ASHSH-në. Ajo u shpreh gjithashtu se Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka pësuar një reformim të thellë gjatë këtyre viteve të fundit dhe, nga një Akademi që para ca vitesh ishte pasive, sot është avangardë e shkencës dhe ka një mbështetje të jashtëzakonshme për të gjitha këto projekte të rëndësishme.