U promovua libri “EKSERGJIA” i Akademik Fejzullah Krasniqit në ASHAK

Më 26 shkurt 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), u mbajt promovimi i librit “EKSERGJIA” i Akademik Fejzullah Krasniqit, një vepër me rëndësi të veçantë për literaturën akademike në fushën e shkencave teknike në gjuhën shqipe.
Ngjarja u zhvillua në praninë e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, drejtuesve universitarë, anëtarëve të Akademisë, profesorëve të fakulteteve teknike dhe mysafirëve të shumtë nga jeta akademike dhe profesionale.
Në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja e ASHAK-ut theksoi rëndësinë e kësaj vepre si një kontribut themelor në trajtimin bashkëkohor të cilësisë së energjisë dhe të efiçiencës eksergjetike, duke e cilësuar librin si një arritje të veçantë në fondin botues të Seksionit të Shkencave të Natyrës. Ajo nënvizoj se ky libër është një kontribut i autorit dhe një pasuri e çmuar për institucionin tonë. U nënvizua se libri përfaqëson një standard të ri në trajtimin shkencor të koncepteve termodinamike dhe paraqet një referencë të domosdoshme për inxhinierët, studiuesit dhe studentët.
Gjatë promovimit u paraqitën elemente nga veprimtaria shkencore e autorit, si dhe recensionet profesionale të përgatitura nga akademikët, të cilat vlerësuan thellësinë teorike dhe aplikueshmërinë praktike të veprës në sistemet bashkëkohore energjetike. U theksua se libri, me trajtimin e detajuar të analizës eksergjetike, ofron instrumente të qarta për identifikimin e humbjeve reale të punës dhe për optimizimin e proceseve industriale.
Në fjalën e tij, akademik Fejzullah Krasniqi ndau me të pranishmit motivet dhe përvojën shumëvjeçare kërkimore që qëndron pas këtij botimi, duke e konsideruar librin si një përpjekje për të plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në literaturën teknike shqipe.
Promovimi përmbylli një ngjarje me peshë të veçantë për komunitetin akademik në përgjithësi dhe atë të fushave të inxhinierisë në veçanti, duke dëshmuar edhe një herë rolin e ASHAK-ut në avancimin dhe afirmimin e dijes shkencore në vend.