Sot, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Kryetarja akademike Justina Shiroka-Pula dhe akademik Arsim Bajrami, pritën Drejtorin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, z. Atdhe Hetemi, me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit institucional ndërmjet ASHAK-ut dhe Institutit, përfshirë nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi, shkëmbimin dhe shfrytëzimin e literaturës, arkivave dhe bibliografisë shkencore, organizimin e konferencave, tryezave dhe simpoziumeve të përbashkëta, si dhe angazhimin e ekspertizës akademike dhe multidisiplinare në funksion të dokumentimit dhe analizimit shkencor të krimeve të luftës në Kosovë.
Në këtë kuadër, u theksua edhe kontributi i rëndësishëm i ASHAK-ut gjatë katër viteve të fundit, përmes organizimit të konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe botimit të studimeve, përmbledhjeve dhe monografive shkencore, ku krimet e luftës dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë janë trajtuar me argumente shkencore, qasje metodologjike të qëndrueshme dhe në përputhje me standardet e së drejtës ndërkombëtare dhe historisë bashkëkohore, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe në kundërshtimin e tendencave për relativizim dhe rishkrim të historisë.