Deklaratë e Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) mbi Propozimin e Zyrës së Prokurorit Special për Dënimet e Udhëheqësve të UÇK-së

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) shpreh shqetësimin e thellë mbi propozimin e Zyrës së Prokurorit Special, për dënimin e katër figurave udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, ish-President i Republikës së Kosovës; Kadri Veseli, ish-Kryetar i Kuvendit; Jakup Krasniqi, ish-Kryetar i Kuvendit; dhe Rexhep Selimi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e ASHAK-ut vlerëson se ky proces duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të garantojë të drejtat e njeriut, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Çdo shmangie nga këto standarde paraqet influencë politike që lëndon legjitimitetin dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor.

Kryesia e ASHAK-ut thekson rëndësinë historike dhe morale të luftës çlirimtare të UÇK-së, e cila u zhvillua për mbrojtjen e popullatës civile dhe çlirimin e Kosovës. Kontributi i tyre ka qenë vendimtar në këtë proces historik dhe nuk mund të relativizohet apo të stigmatizohet në kuadër të një procesi që mund të ketë motive politike.

Kryesia e ASHAK-ut kundërshton çdo përpjekje për relativizimin e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë. Lufta e UÇK-së dhe sakrificat e shqiptarëve për lirinë e Kosovës janë pjesë e historisë së dokumentuar dhe nuk mund të mohohen ose të keqinterpretohen për çfarëdo qëllimesh të tjera. Çdo përpjekje për të stigmatizuar luftën çlirimtare përmes interpretimeve të njëanshme, paraqet një kërcënim ndaj kujtesës historike dhe drejtësisë kolektive të popullit të Kosovës.

Kryesia e ASHAK-ut propozon që institucionet e Kosovës të ndërtojnë mekanizma të pavarur për monitorimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, duke siguruar transparencë, llogaridhënie dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo do të kontribuonte për mbrojtjen e të drejtave të individëve të përfshirë në proces, por edhe për ruajtjen e vlerave historike të luftës së popullit të Kosovës.

Kryesia e ASHAK-ut vlerëson se kjo qasje është jetike për funksionimin e institucioneve demokratike të Kosovës, për ruajtjen e kujtesës historike dhe për forcimin e sundimit të ligjit. Akademia mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj për të ndërtuar mekanizma monitorimi dhe analiza shkencore, të cilat do të sigurojnë që çdo proces gjyqësor të zhvillohet me drejtësi, paanshmëri dhe respekt për vlerat historike dhe qytetarinë e vendit.

Kryesia e ASHAK-ut
10 shkurt 2026