50-VJETORI I KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT

Të nderuar miq, akademikë, dinjitarë të gjuhës shqipe, zoti President, Kryeministër!

Më lejoni të them që në fillim, se unë i takoj asaj gjenerate, e cila e ka njohur dhe e ka përjetuar gjuhën letrare shqipe në të gjithë përbërësit e saj: idealizmin, entuziazmin, ndonjëherë dilemat dhe skepticizmin, më pas përpjekje agresive për ta reviduar standardin, për ta përdorur paskajoren si “mea culpa” për të gjitha dështimet.

Sot, duke qenë shkrimtar që i përkulet gjuhës shqipe si më të madhes vlerë që kemi, ju them pa asnjë mëdyshje se gjuha letrare shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë, as me kuptimet e bartura të fjalëve, as me të kryerën e tejshkuar ose me paskajoren e foljeve dhe as me hijeshinë sintaksore që marrin fjalitë e bashkërenditura ose nënrenditura në një frazë shumëkuptimore.

I lexoj dhe i shijoj po me aq ëndje Mjedën dhe Fishtën, Naimin dhe Çajupin, Koliqin dhe Kutelin.  

Gjuha letrare shqipe iu ka shërbyer mrekullisht të gjithë shkrimtarëve të mirë, më pak iu ka shërbyer shkrimtarëve mesatarë dhe pak ose aspak iu ka shërbyer shkrimtarëve të pazot, të cilët edhe sot vazhdojnë ta fajësojnë gjuhën letrare për dështimet eventuale në fushë të krijimtarisë dhe të dijes. Skepticizmi i tyre nuk ka të bëjë me mundësitë e gjuhës, por me mungesat e tyre në fushën e dijes dhe të njohjes.

Përtej këtyre observimeve personale, më lejoni të them se në Kosovë gjuha letrare shqipe dhe standardi, gjatë këtyre njëzet vjetëve kanë njohur zhvillime pozitive: tashmë ka ndodhur dhe po vazhdon një proces i gjatë dhe i vështirëi desallvizimit, si dhe i kthimit të gjuhës shqipe nga gjuhë e dytë në gjuhë të përdorimit të gjerë shtetëror dhe institucional.

Por në këtë drejtim ne kemi ende shumë punë për të bërë, sepse Kosova përveç shtetit politik, gjeografik, shtetin juridik, diplomatik, administrativ, ushtarak, e ka të nevojshme të bëjë edhe shtetin gjuhësor. Ky është një proces i vështirë, që duhet të fillojë nga Kushtetuta e Kosovës, e cila, e miratuar nën trysni të mëdha, bën diskriminim gjuhësor, duke vendosur në pozitë të barabartë gjuhën e 95% të folësve me gjuhën e 5% të folësve të Kosovës.

Së fundi më lejoni të them se shtetet tona nuk kanë nevojë të bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga folësit e saj, madje edhe nëse ata ndonjëherë ndodh të abuzojnë me gjuhën dhe nuk janë në të drejtën e Zotit për me e përdorë gjuhën me dinjitet dhe nder, por shteti ka nevojëtë bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga braktisja e folësve të saj.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on email
Share on print