Njoftim për opinion i vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës në ASHAK

Në ASHAK sot zhvilloi një vizitë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli me ekipin e tij. Bashkë me të ishte dhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami. Z. Veselin e priti Kryetari i ASHAK-ut me anëtarët e Kryesisë, akademik Hivzi Islami. Kryetari i ASHAK-ut e njoftoi Kryetarin e Kuvendit për veprimtarinë e Akademisë, për rrjedhat e punës në rrethanat e saj të ndryshme, rezultatet dhe problemet në këtë veprimtari në suazat krejtësisht të reduktuara financiare në dy aspekte, në aspektin e vijave buxhetore për zhvillimet në shkencë në përgjithësi brenda vendit dhe në aspektin e buxhetit të rezervuar për veprimtaritë e ASHAK-ut. Kryetari i ASHAK-ut foli po ashtu për aspektet e tjera të veprimtarisë së Akademisë, për raportet e saj në hapësirën e bashkëpunimit ndërkombëtar, të bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për raportet e saj me institucionet e tjera të vendit, etj. Kryetari Islami foli dhe për projektet e punës të ASHAK-ut. Një aspekt tjetër i rëndësishëm për Kryetarin Islami qe çështja e Ligjit për Akademinë që është në procedurë e sipër dhe që Akademia pret të miratohet brenda uzuseve që respektojnë autonominë e institucionit dhe në pajtim me zhvillimet në këto hapësira në mjediset europiane-perëndimore.
Sa i përket gjendjes aktuale në zhvillimet shoqërore, temë kjo e sugjeruar nga kryetari i Kuvendit, Kryetari Islami theksoi se Akademia i ndjek me shqetësim zhvillimet, edhe pse në veprimtarinë e saj nuk është e lidhur me rrjedhat e politikës së ditës. Gjithë duke mos u pajtuar me manifestimet e dhunshme, shpreson që institucionet  dhe grupet që e përbëjnë Kuvendin do të ia dalin të gjejnë zgjidhje brenda të përbashkëtave në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve dhe duke mos i lënduar interesat e vendit.
Kryetari i Kuvendit, Z. Kadri Veseli në fillim shprehu ngushëllimet e tij për humbjet që pësoi Akademia në kohët e fundit dhe pastaj shprehu vlerësimin e tij të lartë për institucionin e Akademisë dhe për arritjet e saj. Ai foli për zhvillimet e fundit në rrjedhat politike dhe shprehu optimizmin për gjetjen e zgjidhjeve sa më të shpejta. Kryetari Veseli shprehu gatishmërinë e tij dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të përkrahin më tej dhe në përmasa gjithnjë në rritje  të veprimtarive të Akademisë. Në të njëjtën kohë ai shprehu mirëpritjen e angazhimeve të Akademisë dhe të institucioneve shkencore në të gjitha çështjet e zhvillimeve  në vend.