Më datë 18 mars 2024 u mbajt mbledhja e radhës e Redaksisë qendrore të Enciklopedisë shqiptare, në të cilën u shqyrtuan raportet e punës së Redaksisë vendore të Kosovës dhe të Redaksisë vendore të Shqipërisë, si dhe u diskutuan detyrat e punës dhe u përcaktua kalendari i aktiviteteve për periudhën mars-dhjetor 2024. Mbledhja u drejtua nga kryeredaktori i Enciklopedisë shqiptare, akademik Skënder Gjinushi, ndërsa raportet e punës së redaksive vendore i paraqitën: akademik Mehmet Kraja, kryeredaktor i Redaksisë vendore të Kosovës dhe akademik Shaban Sinani, kryeredaktor i Redaksisë vendore të Shqipërisë.
Në raportin e punës për Redaksinë vendore të Kosovës, akademik Kraja paraqiti të dhënat relevante për punën e deritashme, duke u ndalur veçmas te përmbyllja e punëve rreth hartimit të akteve, rregulloreve dhe dokumenteve të domosdoshme për funksionimin e strukturave redaksionale të Enciklopedisë shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe ngritjen nga Redaksia vendore e Kosovës të redaksive të 29 fushave, të cilat përfshijnë tërësinë e lëndës shkrimore të pjesës për Kosovën të Enciklopedisë shqiptare. Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë takimeve të ndara me redaksitë e fushave janë dhënë udhëzimet përkatëse për hartimin e listës së zërave, respektivisht të artikujve që duhen të shkruhen nga secila fushë. Është caktuar fundi i muajit mars, tha ai, si afat i fundit për dorëzimin e listave paraprake të zërave për secilën fushë.
Në emër të Redaksisë vendore të Tiranës, e paraqiti raportin e punës akademik Shaban Sinani, i cili u shpreh i kënaqur me punën e deritashme të strukturave redaksionale të Enciklopedisë shqiptare, duke propozuar edhe fazat e punëve të pritshme për vitin 2024, mbi bazën e kalendarit të propozuar po në këtë takim. Ai gjithashtu theksoi se në vitin e kaluar u mbyll faza e hartimit dhe e miratimit të akteve të kornizës ligjore dhe profesionale, u plotësua vertikalisht rrjeti i redaksive në të tri nivelet dhe redaksitë e fushave tashmë kanë nisur nga puna për përgatitjen e fjalësit paraprak të Enciklopedisë shqiptare.
Në këtë takim të Redaksisë qendrore të Enciklopedisë shqiptare, përfaqësuesja e entitetit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, dr. Valbona Toska, bëri të ditur se redaksia e tyre tashmë e ka hartuar regjistrin paraprak të zërave, që do të shkruhen prej tyre për botimin e përbashkët të kësaj enciklopedie.
Në këtë mbledhje u vendos që:
1. Deri në fund të muajit qershor redaksitë e fushave të kenë përfunduar përzgjedhjen me kritere shkencore njësitë enciklopedike, duke ua dorëzuar listat redaksive vendore dhe më tej asaj qendrore, që bën miratimin e tyre;
2. Deri në muajin shtator të jetë bërë ndarja e tyre sipas rëndësisë dhe shkallës së përfaqësimit në artikuj përmbledhës, të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj. Lista e artikujve monografikë miratohet nga RQ bashkë me autorët realizues;
3. Deri në fund të vitit të jenë propozuar nga redaksitë e punës, të jenë dakorduar dhe miratuar autorët realizues;
4. Redaksitë e fushës të takohen dy herë në vit, një herë në Tiranë e një herë në Prishtinë;
5. U miratua në tërësi kalendari i takimeve dhe mbledhjeve të redaksive.