Me organizim të përbashkët të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nën përkujdesjen e Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë së ASHAK-ut, në Prishtinë u mbajt konferenca shkencore nga fusha e letërsisë “Kritika dhe studimet letrare shqipe në shekullin XXI”. Në këtë konferencë njëditore u paraqitën afro njëzet kumtesa nga studiues të kësaj fushe nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, në të cilat u trajtuan zhvillimet kryesore në këtë fushë në këto dy deceniet e para të shekullit XXI.
Akademik Ali Aliu në fjalën e hapjes foli për trendët e përgjithshme që e kanë karakterizuar kritikën dhe studimet në fushën e letërsisë shqipe gjatë kësaj periudhe, ndërsa akademik Sabri Hamiti i kushtoi vëmendje raporteve mes krijuesit, lexuesit, autorit dhe kritikut. Anëtari korrespodent Nusret Krasniqi në kumtesën e tij trajtoi çështje që lidhen me raportet e kritikës letrare me dijet teorike, teksa dr. Lindita Aliu foli për zhvillimet e njëkohëshme të kritikës letrare brenda botës akademike, autoritetet e së cilës mbështeten në metodologji dhe profesionalizëm dhe kritikën letrare publike, e cila synon formimin e shijes letrare dhe popullarizimin e letërsisë. Akademik Shaban Sinani, ndërkaq, trajtoi çështje që lidhen me autorecensinimn e veprave letrare te autorët shqiptarë, ndërsa dr. Dhurata Shehri foli për kritikën e realizmit socialist, e cila mbijetoi edhe pas rënies së realizmit socialist.
Kumtesat e tyre i lexuan edhe Persida Asllani, Zeqirja Neziri, Arben Prendi, Muhamet Hamiti, Afrim Rexhepi, Kujtim M. Shala, Anton Gojçaj, Laura Smaqi etj.