Tryezë shkencore: “UJITJA NË KOSOVË – MENAXHIMI I UJËRAVE PËR BUJQËSI TË QËNDRUESHME”, më 16 tetor 2014

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS
Seksioni i Shkencave të Natyrës

ORGANIZON

TRYEZË SHKENCORE
UJITJA NË KOSOVË – MENAXHIMI I UJËRAVE PËR BUJQËSI TË QËNDRUESHME

Tryeza shkencore do të mbahet me 16.10.2014 në lokalet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në Prishtine, Rr. Agim Ramadani p.n., duke filluar në orën 10:00.

Qëllimi i tryezës shkencore
Kosova ka traditë të lashtë në përdorimin e ujit për ujitjen e tokave bujqësore, ka trashëguar një infrastrukturë relativisht të mirë të sistemeve formale dhe joformale për ujitjen e tokave, ndërhyrjeve teknike në rregullimin e regjimit dhe kapaciteteve të ujit dhe zgjerimin e sipërfaqeve të tokës për ujitje etj.. Mirëpo në dekadat e fundit mënyra e shfrytëzimit të ujit dhe e tokave bujqësore po ndeshen me sfida serioze.

Tryeza shkencore përmes referateve, kumtesave dhe diskutimeve të punonjësve shkencorë dhe ekspertëve të fushave përkatëse synon thellimin e njohurive shkencore, profesionale, teknike dhe ngritjen e debatit për ide, politikë dhe qëndrim të ri ndaj pasurive ujore dhe tokësore që janë vitale për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Me Direktivën Kornizë për Ujëra të Parlamentit dhe të Këshillit Evropian (nr. 2000/60) të datës 23 tetor 2000 Bashkimi Evropian ka përcaktuar politikat afatgjata në fushën e ujërave, duke apostrofuar edhe rolin e kërkimeve shkencore në krijimin dhe zbatimin e politikave për administrimin e integruar të resurseve ujore. Përmes kësaj tryeze shkencore synohet të jepet kontributi në përafrimin e politikave, ligjeve dhe strategjive në fushën e shfrytëzimit të ujërave e tokës bujqësore dhe të ruajtjes së mjedisit me standardet e Bashkimit Evropian.

Trysnia e madhe ne shfrytëzimin e pasurive ujore shfaqet si rrjedhojë e rritjes së shpejtë të kërkesave për plotësimin e nevojave të ndryshme, si: për pije, për bujqësi, për industri, për pushim e rekreacion etj. si dhe shfrytëzimin joracional, madje shkalla e lartë e ndotjes, ashpërsimi i konflikteve ndërmjet shfrytëzuesve të ndryshëm etj. Keqpërdorimi i ujit dhe i tokave bujqësore, në veçanti i atyre nën sisteme ekzistuese për ujitje po shoqërohet me shqetësime serioze në opinionin shkencor, në shoqëri dhe në politikëbërje.

Ndryshimet klimatike, e ne veçanti ngritja e temperaturës së ajrit dhe zvogëlimi i reshjeve, me tepër do ta thellojnë riskun e mungesës se ujit. Përdorimi i ujit për ujitje do të jete faktor përcaktues për prodhimtarin bujqësore dhe stabilitetit ekonomik. Kërkimet shkencore duhet t’i qasen edhe problemeve të përshtatjes te aktiviteteve humane ndaj ndryshimeve klimatike.

Këshilli organizativ i tryezës shkencore fton në bashkërendimin e aktiviteteve me organet përkatëse shtetërore, si: Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rurale, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Planifikim Hapësinor dhe Mjedis të Kuvendit të Kosovës, struktura komunale, institucionet akademike e universitare, kompanitë për menaxhimin e sistemeve për ujitjen e tokave bujqësore, autoritetet e pellgjeve lumore, ekspertët e bujqësisë etj. për organizimin me sukses të Tryezës shkencore .

Këshilli organizativ thekson se Tryeza shkencore ka karakter multidisiplinar dhe fton studiuesit dhe të interesuarit për çështje të resurseve ujore, tokës, klimës, bujqësisë, sistemeve për ujitje, prodhimtari bujqësore, industri të ushqimit, zhvillimit rural dhe mjedisit që të marrin pjesë me referate dhe kumtesa në përputhje me temat bosht të propozuara më poshtë.

TEMAT BOSHT TË TRYEZËS SHKENCORE JANË:
1) Vlerësimi shkencor dhe profesional i kapaciteteve ujore të territorit të Republikës se Kosovës (burimet, ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë), kushtet klimatike, tokat bujqësore dhe nevojat e mundësit për ujitje;
2) Politikat dhe strategjitë në fushën e resurseve ujore, shfrytëzimit të tokës dhe prodhimtarisë bujqësore;
3) Roli dhe rëndësia e ujitjes për prodhimtari bujqësore në mirëqenien sociale, pavarësimin nga importi i prodhimeve bujqësore dhe stabilitetit e integritetit të vendit;
4) Menaxhimi i pasurive ujore dhe i sistemeve për ujitjen e tokave, përvojat dhe sfidat;
5) Ujitja e tokave bujqësore, prodhimi bujqësor dhe ndikimi i tyre në zhvillimin rural;
6) Përvojat dhe risitë teknike në fushën e menaxhimit të ujit për ujitje, shfrytëzimit të tokës dhe prodhimtarisë bujqësore në vendet fqinje, në rajon dhe më gjerë;
7) Roli i studiuesve dhe i ekspertëve në nxitjen e debatit për qasje të reja në edukimin e fermerëve për shfrytëzimin më me efiçiencë të ujit dhe të tokës për prodhimtari të lartë dhe cilësore në përputhje me standardet e BE-së;
8) Rentabilitetit i ujitjes dhe shkalla e rritjes së prodhimtarisë bujqësore me ujitje;
9) Rekomandime meritore për arritjen e efiçiencës së sistemeve ekzistuese të ujitjes

Të interesuarit për pjesëmarrje në Tryezën shkencore Informohen se:
1. Titulli i punimit dhe abstrakti për pjesëmarrje në Tryezë shkencore mund të dërgohen deri më 15.6.2014;
2. Titulli i punimit duhet të jetë konciz dhe në përputhje me temat bosht të Tryezës shkencore – të përmbajë emrin e autorit, institucionin, adresën dhe numrin e telefonit për kontakt;
3. Pjesëmarrësi në Tryezë mund të paraqitet vetëm me një punim si autor ose si bashkautor;
4. Abstrakti prej 250-300 shenja të dërgohet në adresën e shënuar më poshtë në mënyrë elektronike;
5. Abstraktet e pranuara botohen para mbajtjes së Tryezës shkencore;
6. Punimet e prezantuara në Tryezën shkencore do të publikohen në një botim të veçantë të ASHAK-ut;
7. Informohen të interesuarit për pjesëmarrje se punimet e propozuar që nuk janë në përputhje me temat bosht dhe me kritere profesionale-shkencore nuk do të hyjnë në punimet e Tryezës shkencore;
8. Pas pranimit të temave dhe abstrakteve, pjesëmarrësit do të informohen për detajet tjera vijuese në lidhje me organizimin e Tryezës shkencore

Kontakti:
Shërbimi profesional i ASHAK -ut
Tel. 038/249-303
E-mail: tryezashkencore@ashak.org
Rr. Agim Ramadani, p.n.

Prishtinë, 18.3.2014
Këshilli organizativ