Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) nën përkujdesjen e Seksionit të Shkencave të Natyrës të ASHAK-ut, në Prishtinë organizon tryezën shkencore njëditore “Rishfrytëzueshmëria e brezave të rinj frekuencor UHF, VHF dhe valëve milimetrike për rrjete të komunikimeve pa tela” . Tryeza do të mbahet me datën 12 shtator 2022, prej orës 10:00 deri në orën 16:00, ku do të paraqiten mbi dhjetë kumtesa nga studiues dhe ekspert të kësaj fushe nga Kosova, Italia dhe Shqipëria.
Me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, nevoja për qasje në internet përmes komunikimeve pa tela, pra nevoja për shfrytëzim të brezit frekuencor, është bërë kërkesë me rritje të pandalshme që kërkon zgjidhje nga shkenca dhe inovacioni. Në kërkimet shkencore aktuale paraqiten ide të ndryshme për shfrytëzimin optimal të spektrit frekuencor në dispozicion dhe mundësive të rishfrytëzimit të këtij brezi. Të arriturat dhe zbatimi i këtyre zgjidhjeve shkencore dhe inovative janë temë boshte e kësaj tryeze shkencore.