Telegram ngushëllimi Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

(Me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Bahri Becit)


T
ë nderuar miq dhe kolegë,

Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Bahri Becit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i jashtëm Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, njërit nga gjuhëtarët e shquar të studimeve albanologjike në Shqipëri, në Kosovë dhe më gjerë.

Akademik Bahri Beci me studimet e tij dhe me punën drejtuese në institucionet e larta të shkencës në Shqipëri dha një kontribut të çmuar dhe la gjurmë të pashlyera në të gjitha fushat e veprimtarisë dhe të aktivitetit shkencor e studimor, veçmas në studimet dialektologjike të shqipes, të fonetikës, të historisë dhe të gramatikës. Studimet e tij të strukturës dialektore të gjuhës shqipe, të nyjëtimeve dhe varieteteve dialektore, të historisë së formimit të dialekteve të shqipes, pastaj të fonetikës eksperimentale dhe të shqipes standarde qëndrojnë në themelet e studimeve gjuhësore albanologjike dhe e bëjnë atë njërin nga gjuhëtarët më me ndikim të gjeneratës së tij. Si studiues në gjuhësinë ballkanologjike Bahri Beci ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike. Akademik Bahri Beci bëri një punë të vyer edhe si hartues i teksteve shkollore për gramatikën e shqipes për të gjitha nivelet e sistemit shkollor në Kosovë dhe Shqipëri.

Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u shpreh ngushëllime të thella familjes e të afërmve të akademik Bahri Becit, anëtarëve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, bashkëpunëtorëve të shumtë dhe të gjithë studiuesve dhe njohësve të veprës së tij.

Kryesia e ASHAK