SQARIM I ASHAK

Lidhur me disa zëra akuzues, që u dëgjuan në adresë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në debatin për UP-në në Kuvendin e Kosovës më 6.02.2014, Shërbimi profesional i ASHAK-ut jep këtë sqarim për opinion:

1. Nga dokumentacioni që posedon Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është e vërtetë se Sinan Hasani dhe Josip Broz Tito janë zgjedhur anëtarë të ASHAK-ut;

2. Sinan Hasani është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë në vitin 1983 (i rregullt më 1986), me vizën që i ka dhënë atëherë Seksioni i Gjuhës, i Letërsisë dhe i Arteve, me propozimin dhe votimin e Rexhep Qosjes, së bashku me anëtarët e tjerë (Esad Mekuli, Vukashin Filipoviq, Idriz Ajeti dhe Muslim Mulliqi), dhe votimin në Kuvendin e Akademisë;

3. Josip Broz Tito është zgjedhur anëtar nderi i Akademisë më 26.12.1979 unanimisht, me aklamacion, madje në mbledhje që është mbajtur në Institutin Albanologjik (drejtor Rexhep Qosja), e ku merrnim pjesë edhe politikanët: Xh. Nimani, M. Bakalli, D. Ristić, M. Zvicer, B. Oruçi, M. Plakiqi, M. Mustafa. Para kësaj, në vitin 1975, Tito është shpallur doktor nderi i Universitetit të Prishtinës.

4. Rrahman Morina nuk është zgjedhur kurrë anëtar i Akademisë dhe nga dokumentacioni shihet se as që ka pasur ndonjëherë propozim për të.

Me presion ose pa të, Sinan Hasani dhe Josip Broz Tito janë zgjedhur anëtarë të ASHAK-ut në rrethana të caktuara të kohës, sikundër që Tito është shpallur doctor honoris causa në Universitetin e Prishtinës. Kjo ka ndodhur dhe ndodhia nuk mund të anulohet.

SHËRBIMI PROFESIONAL I ASHAK