U paraqit “Raportit për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë”, i përgatitur nga grupi punues i Seksionit të Shkencave të Natyrës në kuadër të ASHAK-ut

Të mërkurën, më 7 tetor 2020, në orën 11:00, në sallën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u bë paraqitja publike e “Raportit për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë”, i përgatitur nga grupi punues i Seksionit të Shkencave të Natyrës në kuadër të ASHAK-ut. Tubimin e hapi akademik Fejzullah Krasniqi, i cili tregoi se akad, Isuf Krasniqi i cili e ka kryesuar grupin punues për përgatitjen e këtij raporti mungonte për shkaqe objektive. Ai e ftoi kryetarin e e ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja të mbajë një fjalë rasti.

Kryetari Kraja tha se që një kohë relativisht të gjatë në Kosovë kanë mbetur pezull një sërë pyetjesh, veçmas për qytetarin e zakonshëm, që kanë të bëjnë me prodhimin e energjisë dhe me zhvillimin e vendit. Për opinionin e gjerë, për ata që nuk merren me shkencë, së paku jo me këtë fushë të hulumtimit shkencor, kanë mbetur pa përgjigje një sërë pyetjesh praktike, të cilat mund të kenë marrë përgjigje evazive, por jo decidive dhe jo përgjigje shkencore, të tilla pyetje si: Çfarë duhet të bëjë Kosova me prodhimin e energjisë? A duhet t’i shtojë dhe sa duhet t’i shtojë kapacitetet? A duhet të ndërtohet “Kosova e Re”? A duhet ta shfrytëzojë dhe si duhet ta shfrytëzojë pasurinë natyrore të thëngjillit? Dhe çështje të këtilla, që ndonjëherë kanë zgjuar debate, por shpejt janë heshtur, sepse përgjigjet në këto pyetje kanë qenë kryesisht pa argumentim shkencor.

Me këtë raport, tha Kraja, situata ndryshon esencialisht. Këtu, me një shpjegim të argumentuar, jepet përgjigje në të gjitha pyetjet që i shtrova më lart dhe që mund të na preokupojnë të gjithëve. Ajo që mua më ka bërë përshtypje, kur e kam lexuar tekstin, është se Raporti ruan një baraspeshë të mirë midis shkencës fondamentale dhe “konsumimit” të saj publik, që ndryshe ka këtë kuptim: Raportit mund t’i bëhen disa nivele të leximit: si punim shkencor, sepse e ka instrumentariumin e shkencës; mund të lexohet edhe si informatë, sepse jep të dhëna të mjaftueshme për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me energjinë; mund të lexohet edhe nga specialistët e energjisë, sikundër që është një mesazh i argumentuar edhe për opinionin e gjerë.

Pas fjalës së kryetarit Kraja vazhdoi prezentimi i raportit në të cilin së pari akad. Fejzullah Krasniqi e paraqiti pjesën e raportit që ka të bëjë me prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë. Ai në fillim tregoi për llojet e ndryshme të energjisë të cilat mundësojnë prodhimin e energjisë elektrike e cila paraqet llojin më fisnik të energjisë. Më tutje ai dha informacion në lidhje me sistemin elektroenergjetik në Kosovë dhe sistemin e transmisionit. Prodhuesit kryesor të energjisë elektrike në Kosovë për dekada kanë qenë Termocentralet A dhe B. Në TC B qe 5 vite ka filluar edhe sistemi i kogjenerimit i cili përdoret në një pjesë të qytetit të Prishtinës për ngrohje.

Më tutje akad. Krasniqi i paraqiti burimet e ndryshme të energjisë elektrike me të cilat disponon Kosova. Në radhë të parë e potencoi përdorimin e qymyrit si lëndë e parë për prodhimin e energjise elektrike në Kosovë. Kjo lëndë e paraqet resursin më të rëndësishëm për prodhimin e energjisë elektrike duke ditur se rezervat e tij janë rreth 10.9 miliardë ton të eksploatueshme. Më tutje ai paraqiti edhe burimet tjera të energjisë: gazin natyror, hidropotencialet, energjinë e erës dhe fotovoltaikët.

Akad. Krasniqi tregoi se në bazë të një analize të hollësishme të të dhënave për prodhimin, kërkesën, eksportin dhe importin e energjisë elektrike në Kosovë për një periudhë kohore dhjetëvjeçare konstatohet se me kapacitetet prodhuese ekzistuese të energjisë elektrike në Kosovë, termocentralet përbëjnë 91.41% të kapacitetit të instaluar ose 94.3% të kapacitetit operativ, dhe pjesa tjetër vjen nga hidrocentralet dhe burimet të ripërtëritshme të energjisë (BRE) (hidrocentrale, (HC) centrale me erë dhe panele solare). Pjesa më e madhe pra plotësohet nga energjia e prodhuar në dy TC-të (TC A dhe TC B) dhe një sasi modeste nga burimet HC dhe BRE.

Akad. Nexhat Daci foli për ndikimin e termocentraleve në mjedis dhe në shëndetin e njeriut. Ai paraqiti të dhëna në lidhje me substancat e ndryshme të cilat lirohen si pasojë e djegies së thëngjillit në impiantet e TC A dhe B. Gjatë një viti këto dy termocentrale, në bazë të llogarfitjeve stekiometrike lirojnë me miliona ton të dioksidi i karbonit, CO2 i cili konsiderohet si shkaktari kryesor i efektit të serrës. Poashtu gjatë djegies së thëngjillit lirohet në masë shumë më të vogël edhe monoksidi i karbonit, CO i cili është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Ai poashtu paraqiti të dhëna se gjatë djegies së thëngjillit lirohet dioksidi i sulfurit, SO2 i cili tejkalon rreth 50 % vlerat e lejueshme. Ky gaz është shkaktar i shirave acidike dhe është i dëmshëm për organizëm të njeriut. Djegia e thëngjillit në impiante shkakton edhe lirimin e një përzierje të oksideve të azotit që shkruhen me formulën, NOx të cilat varësisht prej stinëve të vitit i tekalojnë vlerat kufitare të lejuara në interval 20 deri 60 %. Me vendosjen e filtrave elektrostatik në tymtarët e TC B, investim i Komisionit Europian në të ardhmen do të mundësohet që vlerat e NOx të jenë 4 herë më të vogla. Poashtu Akad. Daci paraqiti të dhëna për sasinë e pluhurit dhe të grimcave të ngurta me dimensione PM2.5 dhe PM10 të cilat lirohen si rezultat i djegies së linjitit dhe të cilatr i tejkalojnë normat e lejuara. Vendosja e filtrave si për rastin e NOx do të mudësojë në të ardhmen zvoglimin e kësaj ndotjeje.

Anëtarja korrespondente Myzafere Limani i paraqiti rekomandimet e grupit punues për furnizim të qëndrueshëm të Kosovës me energji elektrike si para kusht i domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të saj. Pasiqë sistemi elektroenergjetik i Kosovës ka kapacitetin e gjithmbarshëm të instaluar për prodhimin e energjisë prej rreth 1409  MË dhe me kapacitet operues rreth 1075 MË neto. Pjesa më e madhe e prodhimit vjen nga dy termocentralet TC Kosova A dhe TC Kosova B me një kapacitetet operues neto ndërmjet 900 dhe 960 MË. Me këtë kapacitet plotësohet mesatarisht deri 85% e kërkesës së tregut për energji. Prandaj si zgjidhje për furnizim të qëndrueshëm dhe të pavarur me energji elektrike të Republikës së Kosovës, grupi punues mendon se ekzistojnë dy opsione reale:

– ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me bazë fosile (linjit) dhe krahas ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese nga BRE, ose

– importimi i energjisë elektrike.

Pas analizës në mënyrë kritike të të gjitha opsioneve, duke pasur parasysh potencialet energjetike të vendit dhe paparashikueshmërinë e çmimit të energjisë dhe sigurisë së furnizimit, grupi punues  përkrah zhvillimin e kapaciteve të reja për furnizim të qëndrueshëm dhe të pavaur me energji elektrike nga burimet energjetike vendore bazuar në rezervat e linjitit.

Duke e përkrahur opsionin e parë të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, propozojmë:

– Në vend të ndërtimit të TCKR  me  kapacitet 500 MW (bruto), respektivisht 450 MW (neto) energji elektrike, sugjerojmë që të ndërtohen dy blloqe secila me nga (300 deri 350) MË me etapa të ndërtimit pesëvjeçare.

– Etapa e parë (Blloku I) të përfundohet dhe të lëshohet në punë deri në vitin  2025, ndërsa në etapën e  dytë (Blloku II) të përfundohet deri në vitin 2030.

– Të dy blloqet duhet të kenë parametra subkritikë (SC) me  efiçiencë rreth 40%.

– Secila nga këto blloqe duhet të ketë mundësinë për koogjenerim (prodhim i përbashkët i energjisë elektrike dhe energjisë termike) me të paktën  (6-10)% të kapacitetit nominal të prodhimit të energjisë elektrike (300 deri 350 MW).

– Varianti  i propozuar  me fuqi të instaluar 300 deri 350 MË do të ishte kompatibil me një bllok të TC Kosova B, ashtu që në rast të rënies nga sistemi i bllokut përkatës,  SEE i vendit nuk do të pësonte disbalance dhe çrregullime të mëdha krahasuar me rënie e një njësi të vetme prej 500 MË, nëse eventualisht kjo njësi për arsye të ndryshme teknike do të binte nga operimi.

– Zgjerimi i rrjetit të furnizimit me nxehtësi nga sistemi i koogjenerimit për qytetin e Prishtinës, duke rritur rrezen e furnizimit dhe shtimin e kapaciteteve të sistemit të koogjenerimit për përfshirjen e Obiliqit dhe Fushë-Kosovës në sistem të furnizimit.

– Ndërtimi  i kapaciteteve të reja do të mundësonte zëvendësimin e njësive të vjetra prodhuese të TC Kosova A dhe do të siguronte rritjen e sigurisë në furnizimin me energji dhe njëherësh do të siguronte rezervë të domosdoshme për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

– Mbështetja në resurset vendore të linjitit dhe në një pjesë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë do ta zvogëlonte në masë të konsiderueshme varësinë e vendit nga importi i energjisë elektrike dhe nga paparashikueshmëria e çmimit të saj në tregun rajonal.

– Futja në punë e blloqeve të reja, krahas rehabilitimit të dy blloqeve të TC Kosova B, do të zëvendësojë prodhimin e energjisë elektrike që prodhohet nga tri blloqet e TC Kosova A, si dhe  do të zvogëlojë nevojën për importim të energjisë elektrike.

– Kapacitetet e reja gjeneruese do të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe termike, që janë parakusht për investime të reja e që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

– Grupi punues po ashtu sugjeron që Qeveria gjatë shqyrtimit të shtimit të kapaciteteve prodhuese të merr parasysh edhe opsionin e ndërtimit të kapaciteteve të reja me financim të mëvetësishëm  me kredi të buta për një periudhë dhjetëvjeçare.

Konkluzionet për ndikimin në mjedis

– Të zvogëlohet sasia e emisionit të  SO2 dhe e gazrave NOx të hedhur prej tymtarëve në vlerën deri 200 mg/m3N në mënyrë që ato të jenë brenda vlerave të lejuara sipas normave të BE-së të parashikuara të hyjnë në fuqi në vitet 2023, përkatësisht 2026. Të bëhen përpjekje që niveli i SO2 të zvogëlohet përmes procesit të desqufurimit me CaO siç është propozuar në këtë raport.

– Të bëhet riparimi i filtrave elektrostatikë të TC-së Kosova B në traktin e gazrave ashtu që të zvogëlohet sasia e pluhurit të emituar nën vlerën 50 mg/m3N në kushtet aktuale dhe deri në 20 mg/m3N në vitin 2026.

– Të funksionalizohen analizatorët e gazrave ndotës në të gjitha blloqet dhe të bëhet monitorimi i vazhdueshëm dhe i saktë i emisionit të ndotësve të ajrit.

– Për shkak të efektit në ngrohje globale dhe  taksës ekologjike, duhet të zvogëlohet sasia e emetuar e CO2, e cila në vitin 2019 ishte 95.3 kg CO2/s për tri blloqet e TC Kosova A dhe 131.1 kg CO2/s për dy blloqet e TC Kosova B. Në të ardhmen duhet të merret në konsiderim taksa që aplikohet në shtetet e BE-së për çdo ton të prodhuar të CO2.

– Të bëhet monitorimi i vazhdueshëm i ndotjes së ujit dhe tokës në hapësirën e Komunës së Obiliqit me rrethinë për shkak të ndikimit të përbërësve të ndryshëm të hirit.

– Të vazhdohet me përcjelljen e  të dhënave dhe numrit të pacientëve që vijnë nga rajoni i Obiliqit dhe i Prishtinës, të cilët vuajnë prej sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare në mënyrë që të evitohen ndikimet negative të ndotjes së ajrit në cilësinë e jetës.

Në fund të fjalës së së an. korr. Myzafere Limani pasiqë nuk kishte ndonjë pyetje prej publikut, akad. Fejzullah Krasniqi e mbylli këtë ngjarje.