Konferencat shkencore për Ballkanin perëndimor, organizuara nga Akademia Gjermane e Shkencave Leopoldina

Me nismën e kancelares gjermane znj. Angela Merkel është mbajtur në Berlin, më 28 gusht 2014, Samiti i parë procesit të Balkanit Perëndimor në nivel të shefave të shteteve dhe të Qeverive të këtyre vendeve. Synim kryesor i këtij tubimi ishte përkrahja e integrimit të rajonit në BE, si dhe rritja e bashkëpunimit rajonal, sidomos në aspektin e edukimit, të shkencës dhe inovacion. Më pastaj qeveria gjermane e ka ngarkuar Akademinë e Shkencave Gjermane Leopoldina që të udhëheqë dialogun në kuadër të shkencës, edukimit dhe shoqërisë, të përfshirë në procesin e Ballkanit Perëndimor. Duke marrë para sysh rëndësinë e madhe të këtij projekti, Leopoldina ka ftuar bartësit kryesorë kombëtarë dhe shtetërorë të edukimit dhe të shkencës të këtyre vendeve në një platformë të re, që quhet “Konferenca e përbashkët shkencore e procesit të Berlinit”.

Konferenca e parë e këtij formati është mbajtur prej 15-17 korrik 2015 në Halle dhe Berlin. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë nga Kosova: akademik Nexhat Daci nga ASHAK dhe prof. Fetah Podvorica, prorektor për shkencë i Universitetit të Prishtinës. Në kuadër të konferencës delegacioni i Kosovës ka qenë aktiv në debatet e organizuara, duke bërë  prezantimin e problemeve kryesore të vendit në sektorin e arsimit të lartë dhe të shkencës, si dhe në hartimin e konkluzioneve të konferencës. Pikat kyçe të kësaj konference, që janë prezantuar në dy deklaratat e publikuara edhe në gjuhën shqipe, kanë qenë: i) rritja e fondeve për arsimin e lartë dhe shkencë deri në 3 % në nivel të BPV; ii) krijimi i sistemeve që përmbajnë standarde të unifikuara të vlerësimit të cilësisë; iii) krijimi i sistemeve të qëndrueshme të hulumtimit shkencor; iv) zvogëlimi i “ikjes së trurit” dhe krijimi i rrethanave të favorshme për “kthimin e trurit”; v) krijimi i një këshilli ose fondacioni për ndihmë të shkencëtarëve shumë të talentuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor etj. Këto konkluzione janë prezantuar nga ana e “Leopoldinës” para pjesëmarrësve të Samitit të dytë të procesit të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur më 27 gusht 2015 në Vjenë.

Konferenca e dytë e organizuar prej Leopoldinës është mbajtur prej 22 deri më 25 maj 2016 në Vjenë. Në të kanë marr pjesë akademik Nexhat Daci si përfaqësues i ASHAK-ut dhe rektori i UP-së prof. Marjan Demaj. Mes tjerash, në këtë konferencë është diskutuar për mënyrat më efikase të vlerësimit të cilësisë në sektorin e shkencës dhe të arsimit të lartë, pastaj për krijimin e sistemeve autonome financiare për financim të aktiviteteve shkencore dhe për mënyrën e përfshirjes së shkencëtarëve nga diaspora në ngritjen e nivelit të hulumtimeve shkencore në këto vende. Konkluzione e kësaj konference janë paraqitur nga “Leopoldina” në samitin e tretë të vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Paris me 4 korrik 2016.

Konferenca e tretë e organizuar nga Leopoldina është mbajtur prej 14 deri më 16 qershor 2017 në Paris. Në të kanë marrë pjesë akademik Nexhat Daci, si përfaqësues i ASHAK-ut, rektori i UP-së prof. Marjan Demaj dhe prof Fetah Podvorica në cilësinë e shkencëtarit të shquar të UP-së. Pjesën më të madhe në këtë konferencë i është kushtuar themelimit të fondit për shkencë për ndihmë të shkencëtarëve të rinj të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Delegacioni nga Kosova ka kundërshtuar fuqishëm emrin e fondit “Nikola Tesla” të propozuar nga një grup punues, që kishte përgatitur materialin për konferencën në takimin e mbajtur në Beograd. Falë këmbënguljes së delegacionit të Kosovës dhe të përfaqësuesve të Akademisë së Shqipërisë dhe Akademisë Austriake të Shkencave, si dhe të përfaqësuesve të Universiteti të Tetovës dhe të Podgoricës, është arritur që emri i fondit të jetë “Fondi për shkencë për Ballkanin Perëndimor”, ndërsa në kuadër të tij pastaj të krijohen fonde të veçanta të shkencave të natyrës, teknike, shoqërore etj. U propozua që selia e Fondit të jetë në Trieshtë të Italisë. Konkluzionet e konferencës së tretë janë paraqitur nga “Leopoldina” në Samitin e katërt të vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Trieshtë të Italisë me 12 korrik 2017.

Konferenca e katërt e organizuar nga “Leopoldina” është mbajtur prej 30 maj deri më 1 qershor 2018 në Romë. Në të kanë marr pjesë akademik Nexhat Daci, kryetar i ASHAK-ut, rektori i UP-së prof. Marjan Demaj, prof. Fetah Podvorica dhe prof. Besnik Krasniqi nga Fakulteti Ekonomik, në cilësinë e shkencëtarëve të shquar të UP-së. Në këtë konferencë është diskutuar për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të rajonit të bazuar në dije, edukim, kërkim shkencor dhe inovacion. Po ashtu është diskutuar për konvergjencën dhe kohezionin në rajon, i cili përfshin shumë aspekte si atë shoqëror, institucional, shkencor etj. Është kërkuar që të krijohen këshillat nacionale për Procesin e Berlinit në shkencë dhe edukim në vendet e Ballkanit Perëndimor. Konkluzionet e konferencës së katërt janë paraqitur nga “Leopoldina” në Samitin e pestë të vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Londër me 10 korrik 2018.

Konferenca e pestë e organizuar nga “Leopoldina” është mbajtur prej 28-30 maj 2019 në Londër. Në të kanë ka marr pjesë përfaqësues i ASHAK-ut, prof. Fetah Podvorica dhe rektori i UP-së prof. Marjan Demaj. Në konferencë, ndër të tjera, është potencuar roli që mund të luajnë akademitë e shkencave të rajonit në vendosjen e kontakteve me shkencëtarët e këtyre vendeve, të cilët punojnë jashtë vendit. Si model në këtë aspekt është potencuar Akademia e Shkencave dhe Arteve e Sllovenisë. Konferenca e gjashtë do të mbahet në mesin e vitit të  ardhshëm në Poznan të Polonisë.