Konferenca Shkencore Ndërkombëtare: Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë, Shqipëri dhe rajon

Të martën me 28 shkurt 2023 u mbajt takimi punues i këshillit organizativ për organizimin e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare me temë “Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë, Shqipëri dhe Rajon”. Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Akademik Isa Mustafa, Akademike Justina Pula si dhe anëtari korrespondent Besnik Krasniqi. Ky delegacion u prit nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) Skender Gjinushi, Akademik Anastas Angjeli dhe akademik i asociuar Adrian Civici. Në këtë takim u diskutuan çështjet orgnizative-teknike të konferencës e cila do të mbahet 6 dhe 7 tetor 2023, në Prishtinë. Kjo konferencë është paraprë me programin e punës për bashkëpunim ndërmjet të Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Konferenca do të shërbejë si një platformë për të ndarë idetë, paraqitur studimet e analizat konkrete në funksion të perspektivave të bashkëpunimit ekonomik Kosovë, Shqipëri, dhe rajon, për të paraqitur propozime e sugjerime konkrete nga ana e një komuniteti të gjerë e të specializuar akademik, universitar, vendimmarrësve politikë, përfaqësuesve të shoqërisë civile e institucioneve ndërkombëtare dhe komunitetit të biznesit, etj.