Ky projekt për nga subjekti i takon kimisë së mjedisit me karakter hulumtues dhe aplikativ. Projekti ka për qëllim identifikimin e ndotësve të ujërave sipas standardeve shkencore që përdoren në tërë botën për këtë qëllim. Njëherësh do të analizohen sistemet e ndryshme të pastrimit të ujërave të ndotur. Ndotja e ujit në Republikën e Kosovës shkaktohet nga disa burime: Ujërat industrialë, efluentët e ujërave urbanë, ndotësit nga fabrikat (Feronikeli, Fabrika e Çimentos, fabrikat ushqimore), termocentralet, Flotacioni i Trepçës, deponitë e Trepçës dhe të Kishnicës etj. Në varësi nga parametrat e hulumtuar do të aplikohen metodat e veçanta si: 1. Metodat biologjike, 2. Metodat fiziko-kimike dhe 3. proceset membranore (ultrafiltrimi dhe osmoza e kundërt). Nga realizimi i këtij projekti do të krijohen laboratorë të pajisur mirë për studime afatgjate. Në realizimin e projektit do të marrin pjesë ASHAK – Seksioni i Shkencave të Natyrës dhe Universiteti i Prishtinës – Departamenti i Kimisë. Projekti zgjat dy vjet dhe në të marrin pjesë 13 hulumtues; 3 nga ASHAK dhe 10 nga Departamenti i Kimisë.