Në këtë libër sjellim vëllimin e fundit (VI) të veprave të tij, Traktin dhe platformën për Kosovën, të vitit 1943, studimin e ruajtur dorëshkrim në gjuhën frënge dhe në gjuhën serbe mbi Kanunin e lekë Dukagjinit, studimin Sur uneconcordance grammaticale spécifique de l’albanais avec le grec (Mbi një bashkëpërkim specifik gramatikor të shqipes me greqishten), që ishte bërë gati për Kongresin e Sofjes të Ballkanologëve më 1966, por nuk ishte botuar, dhe pjesët që kanë të bëjnë me gjuhën dhe me problematikat e komunikativistikës në raport me të menduarit nga dorëshkrimi Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme në 13 fletore, që u botua te Dukagjini në Pejë më 2009.

Selman Riza (lindi në Gjakovë më 1909, vdiq në Tiranë më 1988), maroi Liceun e Korçës dhe studimet për filologji (gjermanike) dhe për jurisprudencë në Universitetin e Toulouse-s. Punoi si profesor i Liceut të Korçës. Më 1939 pushteti e largoi nga Korça për Tiranë dhe në vijim e përjashtoi nga mësimdhënia përgjithmonë dhe për shkak të aktivitetit kundër pushtimit italian. Pastaj e internoi në Ventotene për 1,5 vjet. Ndërkohë punoi si nëpunës në një ndërmarrje private në Durrës, pastaj si avokat në Prizren, u mor me organizime e veprimtari që lidhen me statusin e ardhshëm të Kosovës, për çka kishte përfunduar në burg në Tiranë më 1945 me akuzat “kosovar, irredentist, antijugosllav”, por asnjëherë nuk ishte trajtuar në gjykatë, as ishte ngritur kundër tij padi. Më 1945 ishte nisur të ekstradohej në Jugosllavi, edhe pse me shtetësi shqiptare, porse u kthye sërish në burgun e Tiranës ku qëndroi deri më deri më 1948, kur iu dorëzua Jugosllavisë. Nga 1948 deri në gusht 1951 u mbajt në burgun e Prishtinës, pa vendim gjykate dhe pa procedurë gjykimi. Në gusht 1951 u la i lirë, por iu caktua vendbanimi i detyrueshëm (internim) në Sarajevë, ku punoi si lektor i gjuhës frënge në Universitetin e atjeshëm. Më 1953 u kthye në Prishtinë për të punuar në Institutin e sapo­themeluar albanologjik deri më 1955, kur u mbyll Instituti, ndërsa Selman Riza u deportua në Shqipëri. Nga dhjetori 1955 e më tej jetoi në Tiranë, u caktua të punonte në Institutin e Gjuhësisë-Historisë dhe u vu në survejim intensiv, siç shihet nga Dosja 2B e botuar më 2009. Më 1967 u internua sërish, këtë herë në Berat, ku qëndroi deri në pensionim (1970).