Doli nga shtypi vëllimi “Krijimtaria letrare e Ali Aliut në 90-vjetorin e lindjes”, i cili përmban kumtesat e Tryezës Shkencore të organizuar më 2 prill 2024 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Në këtë vëllim janë botuar kumtesat dhe diskutimet e paraqitura nga akademikët, studiuesit dhe shkrimtarët: Mehmet Kraja, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli, Shaban Sinani, Zejnullah Rrahmani, Matteo Mandala, Nysret Krasniqi, Arian Leka, Zija Çela, Resul Shabani dhe Fatmir Sulajmani.
Në njëmbëdhjetë tekstet e botuara në këtë vëllim trajtohet vepra studimore e kritike e Akademik Ali Aliut. Nga prizma të ndryshëm analizues është shqyrtuar tipologjia e kritikës, konceptet teorike-letrare, antologjitë dhe përkthimet e Akademik Ali Alit të botuara në më se 30 vepra studimore e kritike në një hark kohor prej rreth një gjysmë shekulli. Poashtu është diskutuar dhe vlerësuar spektri i ndikimit të veprës studimore të Akademik Ali Aliut në botën shkencore, letrare e kulturore shqiptare.
Vëllimi “Krijimtaria letrare e Ali Aliut në 90-vjetorin e lindjes” (2024) u botua nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK-ut nën përkujdesjen e Këshillit Organizues në përbërje: Akademik Sabri Hamiti, Akademik Mehmet Kraja dhe Akademik Shaban Sinani. Libri ka 117 faqe.