këtë libër shqyrtohet vendosja, funksionimi dhe aktivitetet e përfaqësisë diplomatike të Kosovës në Francë në periudhën 2008-2016. Këtu analizohet roli i kësaj përfaqësie në ndërtimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit midis ministrive të Kosovës dhe ministrive të Francës, midis instancave qeveritare të dy vendeve, në nivelin e Presidencës dhe të Qeverisë. Analizohen aktivitet diplomatike në zhvillimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në lëmenjtë e arsimit, shkencës, kulturës dhe ekonomisë. Trajtohet po kështu zhvillimi i bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare të vendosura në Francë, si dhe roli i diplomacisë franceze në mbështetjen e komunikimit dhe bashkëpunimit të diplomacisë së Kosovës me organizatat ndërkombëtare në Francë: me Parlamentin Evropian, me Këshillin e Evropës (në Strasbourg), me Bankën për zhvillim të Këshillit të Evropës, me Organizatat ndërkombëtare, si ajo e Frankofonisë (OIF), e OKB-së për Arsim, Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) etj., sikundër edhe me bashkëpunimin me diplomacinë franceze lidhur me njohjet nga shtetet frankofone (në Afrikë e Azi sidomos) dhe shtete të tjera, te të cilat Franca kishte një ndikim të theksuar politik e ekonomik, por edhe bashkëpunimi me përfaqësitë diplomatike të më se 160 vendeve, nga kontinente të ndryshme, që janë të vendosura Paris.

Në ligjërimet politike e diplomatike në Francë personalitete të shquara e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe në saje të analogjisë me themelimin e BE-së pas Luftës së Dytë Botërore: afirmohej angazhimi që të mos rikthehen në Evropë krimet masive mbi popullsitë civile në emër të ideologjive anakronike e ekstremiste. Këtu trajtohet edhe çështja e rolit të diplomacisë franceze rreth vendimit të GJND-së për Kosovën më 2010 e njëherësh edhe qëndrimi i diplomacisë franceze ndaj dialogut dhe negociatave midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. (…)

Ambasadori Kullashi ka takuar ambasadorë të vendeve afrikane e latinoamerikane, e në veçanti diplomatë të Afrikës frankofone. Në të njëjtën periudhë ai ka takuar edhe ambasadorë të vendeve të BE-së, SHBA-ve dhe vendeve të Azisë, duke kërkuar prej tyre mbështetje për të zgjeruar ndikimin te diplomatët e vendeve ende nuk e kishin pranuar Kosovën, duke i afirmuar pranë tyre interesat gjeopolitike e ekonomike të vendit tonë dhe objektivat e institucioneve tona shtetërore.

Prania aktive e misionit tonë diplomatik Paris ka gjetur shprehje edhe në pjesëmarrjen e ambasadorit gjatë tetë viteve, në konferenca të rëndësishme politiko-diplomatike ndërkombëtare që janë zhvilluar në kryeqendrën e Francës. Pjesëmarrja në këto konferenca ndihmonte afirmimin e legjitimitetit të shtetit të ri të Kosovës dhe formësimin e relacioneve me aktorë të ndryshëm politikë e diplomatikë jo vetëm të Francës, por edhe të vendeve tjera që merrnin pjesë aty. (Akademik Hivzi Islami, akademikJustina Shiroka-Pula)