Botime të reja të Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë

Rexhep Ismajli, PËR HISTORINË E GJUHËS SHQIPE
Akademik Rexhep Ismajli, studiues nga më të vlerësuarit në qarqet tona shkencore dhe më gjerë, dijetar me rezultate të çmuara në studimet nga historia e gjuhës dhe ballkanologjia, gjuhësia e përgjithshme, sociolinguistika, mbi të gjitha nga historia e gjuhës shqipe, vendi i saj në familjen indoeuropiane, raportet me këto gjuhë, në veçanti raportet gjuhësore me fqinjësinë e saj ballkanike, me gjuhët sllave, rumune, çështje të normës dhe standardit, problemet e planifikimit të shqipes, të politikave gjuhësore në përgjithësi, por edhe me interesime të thelluara për letërsinë, vjen kësaj radhe me një botim të titulluar Për historinë e gjuhës shqipe, me kontribute në fushat tashmë të përmendura të interesimeve të tij shkencore.
Siç e thotë edhe vetë autori në shënimin hyrës të dorëshkrimit, në këtë vëllim janë përfshirë studime të kohëve të ndryshme për historinë e gjuhës shqipe dhe studimet e saj që lidhen tematikisht me çështjet e historisë së hershme të gjuhës dhe me fillimet e shkrimeve të shqipes. Libri është ndarë në 12 kapituj, duke u nisur nga Ndarja dialektore e shqipes, e parë nga aspekti ballkanik, Prejardhja e gjuhës shqipe e parë nga Italia, Shqipja dhe rumanishtja, Nga gjuha e sotme te prejardhja e saj, Studimet albanistike në Amerikë, Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht, Në  traditën e madhe të albanologjisë gjermane, Nga shqipja te gjuhësia e përgjithshme (Rasti i Selman Rizës), Studimet për Buzukun pas viteve ’50, Botimet e “Mesharit” të Buzukut, Grafia e Buzukut dhe disa çështje të sistemit fonetik të shqipes dhe Zanoret hundore të Pjetër Bogdanit.
Libri ka 550 faqe, është i pajisur me gjithë aparaturën shkencore dhe indeksin dhe mund të gjendet në librarinë e ASHAK-ut.

Sabri Hamiti, ENIGMA E POEZISË
Akademik Sabri Hamiti, poet, dramaturg, romansier, kritik letrar, profesor i rregullt i Fakultetit Filologjik të UP-së dhe studiues i letërsisë në të gjitha stadet e zhvillimit të saj, letërsisë shqipe, para së gjithash, vjen kësaj radhe me një botim që i kushtohet fund e maje poezisë shqipe, poezisë më të re, por edhe rrënjëve, Fishtës, Kanunit, Shantojës, Koliqit e Camajt. Pra, libri është i ndarë në dy pjesë, Enigma e poezisë 1, që mbyllet me magjinë e përkthimit, do të thoshim me portretin e gjuhëtarit dhe akademikut R. Ismajli, kësaj here si përkthyes e njohës i  poezisë europiane e botërore dhe Enigma e poezisë II, që nis me një fil rouge të poezisë moderne shqipe, të shekullit XX e XXI, që merr Zef Zorbën, Frederik Reshpjen, Rrahman Deden, Ali Podrimjen, Fatos Arapin, Romeo Çollakun, Luljeta Lleshanakun, Abdullah Konushevcin, Demë Topallin, Mimoza Ahmetin, Arben Idrizin Agron Tufën dhe mbaron me Eqrem Bashën.
Shkrimi në parantezë, shkrimi që nis në margjina për t’u kthyer në qendër, qe prezantuar në fillim projekti i Sabri Hamitit nga ai vetë. Problematizimi i thurjes së enigmës poetike. Problematizimi i zgjidhjes së enigmës. Të gjitha këto kërkime çojnë domosdoshmërisht në aktin e krijimit: nga nisja, nëpër tundimet irracionale, për të përfunduar formën. Aventura e artit modern në pamje të poezisë, në të cilën poezia është Pararojë e Pasrojës, kurse leximi i saj është Pasrojë e Pararojës. Mahnitja e leximit të parë, që shfaqet me kënaqësinë e zbulimit, e vënë në sprovën e rrjetit të arsyes. Dialog me libra të shënjuar të autorëve modernë që e kanë zgjedhur lexuesin apo që i ka zgjedhur lexuesi. Kjo duhet të jetë sprova themelore e krijuesit si lexues.
Libri ka 327 faqe dhe gjendet në Librarinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Bardh Rugova, IDEOLOGJIA E GABIMIT GJUHËSOR
Anëtari korrespondent i ASHAK, Bardh Rugova, gjuhëtar, publicist, studiues dhe profesor i rregullt i gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik të UP-së, autor i disa librave nga publicistika dhe gjuhësia, dy vite më parë hartoi dhe botoi në kuadër të projektit për leksikonët e termave të gjuhësisë Leksikonin e termave të fonetikës dhe fonologjisë vjen kësaj here me librin Ideologjia e gabimit gjuhësor, i cili, që në titull zbërthen preokupimet e autorit “me përvojë të gjerë hulumtuese për raportet midis gjuhës dhe shoqërisë.”
Është një diskutim mbi ideologjitë e ndryshme që lidhen me procesin e standardizimit gjuhësor përgjithësisht dhe ideologjitë që kanë të bëjnë me standardizimin e shqipes në veçanti, thuhej në prezantimin e botimit. Çështja e standardit në këtë libër shpërfaqet nga këndi i ideologjisë (të deklaruar nga autori) deskriptive, pra nga këndi i studiuesit dhe kjo ideologji vihet përballë ideologjisë së preskriptivizmit dhe koncepteve të tjera dogmatike që dalin shpeshherë në ligjërimet rreth standardit. Libri mbështetet mbi shpjegime gjuhësore strukturore, duke vazhduar në konceptime sociolinguistike dhe tekstore e diskursive, duke shpjeguar edhe kontekstet shoqërore dhe psikologjike që lidhen me standardin dhe nxënien e tij. Kundërvënia natyralistë – kulturalistë në kuadër të gjuhësisë është diskutuar, po ashtu, tok me një varg elementesh të historisë së standardizimit përgjithësisht. Libri më vete përfshin një kombinim të dhënash empirike dhe diskutimesh teorike. Ka rreth 205 faqe. Karakterizohet me referencë në formë të endnotave dhe me indeks të termave dhe një bibliografi të pasur.