Arkeologët e Kosovës pjesë e organizimit të konferencës shkencore për 75-vjetorin e arkeologjisë shqiptare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në nëntor të këtij viti do të organizojnë së bashku një konferencë shkencore ndërkombëtare për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të arkeologjisë shqiptare. Me këtë rast, për një koordinim dhe organizim më të mirë të pjesëmarrjes në këtë konferencë, në ambientet e ASHAK-ut, në praninë e nënkryetares së Akademisë, akademike Justina Shiroka-Pula (koordinatore e aktivitetit), u takuan arkeologët e Kosovës të përfshirë në disa institucione, si në Institutin e Arkeologjisë, në Muzeun e Kosovës, Universitetin e Prishtinës dhe Institutin e Trashëgimisë. Me këtë rast u themelua një grup i punës i përbërë nga tre arkeologë, Shafi Gashi, Arben Hajdari dhe Enver Rexha, të cilët do të koordinojnë pjesëmarrjen e arkeologëve të Kosovës në konferencën për 75-vjetorin e arkeologjisë shqiptare.