Zejnullah Rrahmani

Akademik
Print

Biografia



Zejnullah (Sadri) Rrahmani është i lindur më 1952 në Ballofc të Podujevës, Kosovë. Shkollën fillo­re dhe gjimnazin i kreu në Podu­jevë. Ka studiuar dhe është diplo­muar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Studimet pasuniversitare dhe magjistraturën i kreu në Degën e Letërsisë Shqipe, 1984. Më 1985 doktoroi në shkencat filologjike në Prishtinë.
Ka punuar në revistën “Fjala” katër vjet si gazetar dhe redaktor. Në Fakultetin Filozofik (tash Fakulteti i Filologjisë) punon prej vitit 1977, ku është profesor për lëndën Teori e letërsisë. Lëndën Teoritë letrare e ligjëron për studentët e studimeve master dhe në studimet e doktoratës.
Ka qenë kryetar i Studimeve pasuniversitare të Degës së Letër­sisë, i ka reformuar e udhëhequr ato nga viti 1992–1998. Nga viti 1992 deri më 1996 ka qenë dekan i Fakultetit të Filologjisë. Anë­tar i Kolegjiumit të dekanëve të Universitetit të Prishtinës ishte në periuhën 1992-1996. Më 1995 e ka ringjallur, pasi që ishte ndërprerë dhunshëm dhe nuk ishte mbajtur disa vite, Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe të njëjtin vit, si bashkëdrejtor me Akademik Bahri Becin, e ka organizuar në Tiranë për dy vite me radhë.
Ka themeluar revistën shkencore “Filologjia” të Fakultetit të Fi­lo­logjisë dhe ka qenë kryeredaktor i tre numrave të parë të saj. Nga viti 1970 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në fu­shën e krijimtarisë letrare shkruan zhanret e prozës (roman, novelë, tre­gim).
Nga viti 1992 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional për programet e letërsisë si dhe anëtar i Këshillit për unifikim të teksteve e të pro­grameve nacionale të Kosovës e të Shqipërisë 1992-1998. Nga viti 1996-1999 në cilësinë e Këshilltarit për arsim i Dr. Ibrahim Rugovës, Kryetar i Kosovës, e ka udhëhequr arsimin shqip (paralel) të Kosovës.
Në periudhën 2007-2009 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional të Shkencës të Kosovës.
Aktualisht është kryetar i Këshillit të Doktoratës të Fakultetit të Filologjisë. Nga viti 1999 ka qëndruar disa herë në Kanada. Jeton në Prishtinë: Bregu i diellit, perëndim, L/6 Nr. 3.
Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh më 2012.

Bibliografia



Vepra letrare:

  • Zanoret e humbura, roman, Rilindja, Prishtinë 1974.
  • Udhëtimi i një pik-uji, novela, Rilindja, Prishtinë, 1977.
  • E Bukura e Dheut, roman Rilindja, Prishtinë, 1977.
  • Sheshi i Unazës, roman, Rilindja, Prishtinë, 1977, Tiranë,1982.
  • Udhëtimi arbdhetar, roman, Rilindja, Prishtinë,1992.
  • Mjeshtri i vetmisë, tregime, Rilindja, Prishtinë,1995; Eurorilindja, Tiranë 1995.
  • Romani për Kosovën, roman, Faik Konica, Prishtinë, 2000.
  • Jusufi, roman, Dukagjini, Pejë, 2000.
  • 99 rruzaret prej smaragdi, roman, Faik Konica, 2006.
  • Iluminacion, prozë poetike, Otava, 2008.
  • Tregimet e Ballofcit, tregime e novela, Faik Konica, Prishtinë, 2008.
  • Lypësi dhe Sophia, Faik Konica, Prishtinë, 2011.
  • Pesë vakte, roman, Faik Konica, Prishtinë, 2013.


Teori, studime, tekste:

  • Nga teoria e letërsisë shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1986.
  • Njohuri nga teoria e letërsisë, Libri shkollor, Tiranë, 1996.
  • Teoria e letërsisë, Enti i teksteve, Prishtinë, 1997.
  • Teoria e letërsisë, Fakulteti Filologjik, Prishtinë, 1996.
  • Si të shkruhet disertacioni, Faik Konica, Prishtinë, 2001.
  • Arti i poezisë, Faik Konica, Prishtinë, 2001.
  • Teoritë letrare klasike, Faik Konica, Prishtinë, 2001
  • Shkrimi dhe leximi, Faik Konica, Prishtinë, 2003.
  • Malësorja e Nazmi Rrahmanit ose Arti i interpretimit, Faik Konica, Prishtinë, 2001.
  • Letërsia e Mesjetës, Faik Konica, Prishtinë, 2002.
  • Ligjërata mbi artin e Renesancës, Prishtinë, 2004.
  • Teoria letrare moderne, Faik Konica, 2005.
  • Letërsia e Lindjes, Faik Konica, Prishtinë, 2005.
  • Gnosis, AIKD, Rilindja, Prishtinë, 2005.
  • 10 Kryevepra poezie, Faik Konica, Prishtinë, 2007.
  • Letërsi klasike greke, Faik Konica, 2008.
  • Teoria e letërsisë, Faik Konica, Prishtinë, 2008.


Çmimet:

  • Çmimin Hivzi Sulejmani.
  • Çmimin Naim Frashëri.
  • Çmimin e NGB Rilindja për roman.
  • Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, etj.