Victor Friedman

Print

Biografia


 

Victor Friedman ka lindur më Çikago më 1949, u shkollua në Reed College, ku është diplomuar më 1970 në departamentin për gjuhë dhe letërsi ruse, ndërsa më 1975 e ka mbrojtur tezën e doktoratës (Ph. D.) në gjuhësi të përgjithshme dhe gjuhë dhe letërsisë sllave në Universitetin e Çikagos. Nga viti 1975 deri më 1993 ka mbajtur mësime për gjuhët sllave dhe për gjuhën shqipe në Universitetin e North Carolina, Chapel Hill. Në këtë universitet ai e ka drejtuar departamentin e gjuhëve sllave në periudhën 1987-93. Më 1993 kaloi në Universitetin e Çikago-s, ku u emërua profesor për gjuhësi të përgjithshme dhe për gjuhët dhe letërsitë sllave, me veprimtari dhe për gjuhët e tjera të Ballkanit. Aty ishte shef i departamentit, ndërsa si profesor i asociuar punoi edhe në departamentin e antropologjisë. Në këtë departament prof. Friedman i mbante edhe mësimet e gjuhës shqipe.
Përveç studimeve të rregullta në SHBA, prof. Friedman ka specializuar dhe në qendra të ndryshme të Ballkanit. Edhe pse me formim të parë sllavist, ai qysh herët ka shfaqur interesim të shtuar për shqipen dhe shqiptarët, ka qenë pjesëmarrës aktiv në disa edicione të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë dhe në vitin 2002 i ftuar për një cikël ligjëratash për studentët e shkallës së tretë në Universitetin e Prishtinës. Ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore albanistike, sllavistike dhe ballkanistike, ashtu si dhe në tubime me karakter më të gjerë lingvistik.
Prof. Friedman ka mbajtur leksione si professor i ftuar në universitete të ndryshme të botës, si në Universitetin e Helsinkit, në Universitetin Kombëtar të Malezisë, në Universitetin e Kiotos, në Universitetin e Evropës Qendrore të Budapestit, në Universitetin e Shkupit, në Universitetin Cornell, etj.
Victor Friedman ka shërbyer edhe si analist politik i zyrës së Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashlcuara, Forcat Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR), në Maqedoni më 1994.
Ka bërë hulumtime terreni në Ballkan për më se 20 vjet me mbështetje të bursave të Fulbright-Hays, IREX, ACLS, NEH, dhe APS. Për rezultatet në shkencë është shpërblyer me çmime të ndryshme në vende të tjera, si Bullgari, Maqedoni etj. Nga viti 1994 është anëtar i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve.
Në vitet ’90 të sh. 20 profesor Friedman, përveç studimeve të përgjithshme dhe të veçanta për gjuhët dhe kulturat e Ballkanit, ka shfaqur interesim të theksuar edhe për studimet e gjuhës shqipe dhe ka qenë i angazhuar edhe edhe jashtë këtyre studimeve për gjendjen në Ballkan në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti. Këtë interesim e ka konkretizuar me punën e tij në kuadër të projekteve të Kombeve të Bashkuara, apo të projekteve të mbledhjes së të dhënave për Projektin e Evropës Juglindore të Qendrës për Veprim Parandalues të Këshillit të Punëve të Jashtme të SHBA-së.
Hulumtimet e Victor Friedman-it në fushën e gjuhësisë kanë qenë të përqendruara në kategoritë gramatikore, në radhë të pare të foljes, me studime të gjera për maqedonishten, për shqipen, për turqishten dhe për gjuhët e tjera të Ballkanit, përfshirë dhe romishten. Studimi më i rëndësishëm i tij në këtë fushë është vepra për “Kategoritë gramatikore të foljeve të maqedonishtes”. Më pastaj ai është përqendruar në çështje të kontakteve të gjuhëve dhe në çështje sociolingvistike që lidhen me problemet e variacioneve dhe të standardizimit në Ballkan dhe në Kaukaz…
Përveç si maqedonist, profesor Friedman është afirmuar me studimet e tij dhe si albanolog i shquar në SHBA, sidomos në dy dekadat e fundit. Ndër veprat më të rendësishme të profesor Victor Friedman-it veçohet libri i tij i fundit “Studies on Albanian and the other Balkan Languages”, Dukagjini Balkan Books (Pejë, 2004), i cili qysh në titull objekt të parë studimi e ka shqipen…
Hulumtimet e Victor Friedman-it kanë sjellë risi në aspekte të ndryshme të studimeve bnallkanistike në të dy aspektet, të studimit të gjuhëve standarde dhe të varieteteve të para në lidhje me realiet në Ballkan e në Kaukaz, ashtu si në vështrimet për kategoritë gramatikore dhe të kontakteve, me përqëndrim në shqipen, bullgarishten, maqedonishten, arumanishten, romishten dhe gjuhën llak dhe me krahasime me azerishten, gjeorgjishten, greqishten, rumanishten, turqishten, serbokroatishten, taxhikishten e turqishten. Vlerë të posaçme kanë vrojtimet e tij lidhur me ndërndikimet në funksionet semantike të kategorive të foljeve. Në aspektin e përkufizimeve që dalin prej vështrimeve kështu ndërdisiplinare, dulcet se përkufizimet dhe statusi i kategorive gramatikore si admirativi kanë gjetur shpjegime më të plota. Prandaj është e kuptueshme që ky libër të jetë i përqendruar kryesisht në shqipen. Mund të thuhet se profesor Victor Friedman është sot ndër studiuesit që merren me gjuhën shqipe në mënyrën më intensive në SHBA.