Biografia
Lindi më 1934 në Kranjë të Prespës. Shkollën tetëvjeçare e filloi në vendlindje dhe e kreu në Manastir më 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Beograd në vitin 1960. Pas studimeve zuri punë si gazetar në redaksinë “Flaka e vllaznimit” në Shkup. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973 duke mbrojtur tezën “Jeta dhe vepra e Petro Markos”. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, për lëndën Teori e letërsisë. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.
Ali Aliu është studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila ka botuar shumë vepra. Ka drejtuar disa kandidatë në tema magjistrature dhe doktorature. Ka shkruar dhe tekste shkollore për teorinë e letërsisë.
Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së në vitin 1989 dhe anëtar i Kryesisë së saj në dy mandate, deri në vitin 1995. Ka drejtuar zyrën e Kosovës në Tiranë (1991).
Ka ligjëruar mbi 10 vjet si profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Ali Aliu është bartës i disa mirënjohjeve, siç janë: Çmimi për librin më të mirë të vitit, Kritika letrare, botuar nga Sh.B. “Rilindja”; Çmimi “Dimitar Mitrev” të SHSHM për librin më të mirë me kritika Shtegtim metafore për vitin 2007; Çmimin “Onufri” akorduar nga Festivali “Poeteka”, Durrës; Çmimi republikan “11 Tetori”; Çmimi “Krenaria e Prespës”, ndarë nga Shoqata “Prespa na bashkoi”, Çikago; Çmimin special për kritikë nga Shoqata e Shkrimtarëve Lezhianë, si dhe Çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore në letërsi që ia ndau Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës në vitin 2015. është dekoruar ‘nderi i kombit’ nga Presidenti i Shqipërisë.
Bibliografia
Libra të botuar:
- Kërkime, Rilindja, Prishtinë,1971.
- Shqyrtime, Rilindja, Prishtinë, 1974.
- Rrjedhave të letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1977.
- Katër romane të Petro Markos, Flaka e vllaznimit, Shkup, 1974.
- Kritika, Rilindja, Prishtinë, 1980.
- Artikuj kritikë, Rilindja, Prishtinë, 1983.
- Ese letrare, Rilindja, Prishtinë, 1987.
- Kërkime, Naim Frashëri, Tiranë, 1990.
- Don Kishoti te shqiptarët, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1996.
- Reflekse letrare, Flaka, Shkup, 1999.
- Antologji e poezisë shqipe, Klubi letrar, Tetovë, 1999.
- Antologji e poezisë shqipe, Albin, Tiranë, 2002.
- Teoria e letërsisë, Enti i Teksteve Shkollore, Prishtinë, 1985.
- Teori e letërsisë, (ribotim i plotësuar) Enti Shkollor, 2001 dhe Vatra, Shkup, 2002.
- Antologji e poezisë shqipe, Klubi letrar – 94, Tetovë, 2000.
- Antologji e poezisë shqipe, (ribotim i plotësuar), Albin, Tiranë, 2002.
- Letërsia bashkëkohore shqiptare, koautor, për klasat e katërta të shkollave të mesme) Alb-ass, Tiranë – Tetovë, 2001; Libri Shkollor, Prishtinë më 2002.
- Letërsi, koautor, për klasat e para të shkollave të mesme, Alb-ass Tiranë-Tetovë,
- Kush do ta vrasë ujkun, tekst plus për maturantët: zgjedhje dhe analizë e poezisë së Ali Podrimjes, Alb-ass Tiranë, Tetovë dhe Libri Shkollor, Prishtinë, 2002.
- Si ta lexojmë poezinë?, Alb-ass, Tetovë-Tiranë, 2004.
- Magjia e fjalës, Dukagjini, Pejë, 2003.
- Kronika letrare, Logos, Shkup, 2003.
- Vepra të zgjedhura, I, II, III, IV, Serembe, Shkup, 2004.
- Don Kishoti shqiptar, ASHAK, Prishtinë, 2005.
- Miti ballkanik te Kadareja, Onufri, Tiranë, 2007.
- Fjalë për fjalën, Serembe, Shkup, 2008.
- Dëshmi letrare, ASHAK, Prishtinë, 2008.
- Shtegtimi i metaforës, Toena, Tiranë, 2009.
- Don Kishoti shqiptar, Toena, Tioranë 2010.
- Kënaqësia e leximit, ASHAK, Prishtinë, 2012.
- Urtia e fjalës, ASHAK, 2018.
- Libri i jetës, ASHAK, Prishtinë, 2020.
Maqedonisht:
- Don Kihotot medju albancite, Kultura, Skopje, 2004.
- Antologija na albanskata poezija (maqedonisht), Pro Littera, Shkup, 2004.
- Skenderbeg (bashkë me Gane Todorovskin), ASHAM, Shkup, 2005.
Bullgarisht:
- Don Kihotot meždu albancite, Blgarski pisatel, Sofija, 2008.
Anglisht:
- Don Quixote among Albanians, St. Clement of Ohrid, National and University Library, Skopje, 2011.