studime 1
 

Udhëzime për autorët e punimeve të propozuara për botim

Revista "STUDIME"

Për botim në revistën Studime do të merren në konsideratë ndihmesat që nuk janë botuar më parë (pos në raste të veçanta) dhe që paraqesin rezultate hulumtimesh origjinale shkencore, profesionale apo të zbatuara të autorit në fushat e shkencave filologjike dhe shoqërore, të cilat nuk i prekin të drejtat autoriale të të tjerëve. Për të gjitha punimet e paraqitura për rubrikën Artikuj - studime Redaksia merr parasysh procedurën e recensimit. Recensioni mbetet në Redaksi, ndërsa emrat e recensuesve nuk bëhen të njohur për autorin e punimit. Për të tjerat vendos Redaksia. Për origjinalitetin dhe cilësinë e ndihmesave përgjigjen vetë autorët. 

Punimi i paraqitur duhet të përmbajë:
Emrin dhe mbiemrin e autorit, vendin ku jeton e vepron ai aktualisht dhe titullin e punimit. Pastaj vjen Abstrakti me jo më shumë se 200 fjalë, ndërsa në vijim, para punimit, shënohen deri në 10 Fjalë çelësa. Në fund të punimit duhet të ketë një Rezyme: nëse punimi është në një gjuhë zyrtare të Kosovës, rezymeja duhet të jetë në një prej gjuhëve me qarkullim të gjerë (anglisht, frëngjisht, gjermanisht) dhe e kundërta në rreth 1 faqe. I tërë punimi mund të shtrihet më së shumti deri në 8 faqe A4 të radhitura me kompjuter Microsoft Word (210x297 mm), me margjina 20 mm., fonti Times New Roman 12 pt me radhor Normal. Abstrakti, Fjalët çelësa, Rezymeja dhe Bibliografia duhet të jenë në Times New Roman 10 pt. Literatura e punimit jepet në fund, ndërsa fusnotat në tekstin me të cilin ndërlidhen, në fund faqeje. Figurat dhe tabelat jepen në tekst. Në literaturë dhe fusnota duhet të shënohen: emri dhe mbiemri i autorit, titulli i punimit të cituar, titulli i publikimit, botuesi, vendi i botimit, viti i botimit, nr. i faqes (faqeve). Kur citohet shqip: f. për një f. dhe ff. për më shumë faqe (në gjuhë tjetër: p., përkatësisht pp.).

Referimet në fusnotë zakonisht shënohen si vijon:
ÇABEJ, Eqrem (1976): Studime gjuhësore III, Rilindja, Prishtinë, ff. 303-406. 

Nëse citohet një punim në revistë:
DOMI, Mahir (1979): La linguistique albanaise en ce 35e anniversaire de la Libération, në Studia albanica XVI, 2, Tirana, pp. 15-28.
BELLUSCIO, Giovanni M. G. (2005): L'aspetto fonetico della parlata arbëreshe di Spezzano Albanese (CS), in Genesin, Monica und Matzinger Joachim (Herausgegeben von): Albanologische und balkanologische Studien. Festschrift für Wilfried Fiedler, Verlag Dr. Kovač, Hamburg, pp. 1-12.

Ndihmesa e propozuar duhet të jetë korrektuar gjuhësisht sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes standarde/ të gjuhës në të cilën është shkruar. Redaksisë i dorëzohet versioni elektronik. Autorët që përdorin shenja të veçanta duhet t'i dorëzojnë dhe fontet përkatëse, ashtu si dhe një version në letër apo PDF, për identifikim të shenjave të veçanta.
Dorëshkrimet nuk kthehen.
Redaksia rezervon të drejtën për të mos dhënë shpjegime në rast se nuk botohet ndihmesa e paraqitur.