Muhamedin Kullashi Anëtar korrespondent

Biografia

Muhamedin Kullashi lindi në Pejë, me 29 nëntor 1949. Aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Në Fakultetin filozofik të Zagrebit studioi filozofinë dhe letërsinë franceze. Nga viti 1974 deri më 1991 ligjëroi në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë të Univerzitetit të Prishtinës. Me 1983, në Fakultetin filozofik të Zagrebit, mbrojti disertacionin  e doktoranturës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë të Henri Lefebvre-it. Në  vitin 1991 u dëbua nga Universiteti i Prishtinës, bashkë me kolegët tjerë shqiptarë, nga regjimi i atëhershëm serb. Nga viti 1992 ligjëron në Departamentin e Filozofisë në Universitetin Parisi 8. Në vitin 1994, pranë këtij universiteti, mbrojti Habilitimin për udhëheqjen e hulumtimeve shkencore (HDR) para jurisë të përbërë nga : Claude Lefort, Jacques Rancière, Gérard Raulet, Jacques Poulain dhe Michel Roux.

Në vitin 1992, mori pjesë në themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris, pranë revistës Esprit, bashkë me intelektualët e shquar francezë Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Bruckner, André Glucksmann, Véronique Nahoum-Grapp etj. Anëtarë nderi të këtij Komiteti ishin edhe filozofët Paul Ricoeur, Edgar Morin, Claude Lefort. Ky Komitet zhvilloi aktivitete në mbështetje të Kosovës deri në vitin 2015.

Nga viti 2008 deri në vitin 2016, ishte Ambasador i Kosovës në Francë. Në vitin 2012 u zgjodh anëtar aktiv i Akademisë evropiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg të Austrisë. Në vitin 2016, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Botoi në revista shkencore të Prishtinës, Tiranës, Zagrebit, Beogradit, Romës, Parisit, Vienës, Madridit, Montrealit etj. Mori pjesë në një numër të madh konferencash shkencore në Francë, Belgjikë, Zvicër, Itali, Bullgari, Hungari, Kanada, Turqi, Tunizi, Argjentinë, Urugvaj etj. Mori pjesë në projekte hulumtuese kushtuar temave të ndryshme nga historia e filozofisë, etika dhe filozofia politike.

Bibliografia:

Në gjuhën shqipe botoi këta libra studimorë:

Filozofema, Rilindja, Prishtinë, 1979.

Kah metafilozofia, Rilindja, Prishtinë, 1986.

Vetpërkufizimi i njeriut, Rilindja, Prishtinë, 1987.

Ese filozofiko-politike, Rilindja, Prishtinë, 1994.

Përplasja e identiteteve, Dukagjini, Prishtina, 2003.

Mendimi politik modern, ASHAK, Prishtina, 2005.

Gjurmë dhe pyetje, Asdreni, Shkup, 2007.

Pushteti dhe dija te Michel Foucault, ASHAK,  Prishtinë, 2008.

Politika, lufta dhe diplomacia, ASHAK, Prishtinë, 2012.

Dy gjenealogji të modernitetit, ASHAK, Prishtinë, 2016.

Biseda per filozofinë bashkëkohore, UET, Tiranë, 2016.

Në gjuhën kroate botoi librin:

Ka metafilozofiji, Zavod za filozofiju, Zagreb, 1986.

Në gjuhën franceze botoi këto libra :

Humanizmi dhe urrejtja. Intelektualët dhe nacvionalizmi në ish-Jugosllavi (Humanisme et haine. Les intellectuels et le nationalisme en ex-Yougoslavie.) L’Harmattan, Paris, 1998.

Të heqësh tjetrin (Effacer l’Autre), l’Harmattan, Paris, 2006.

Në gjuhën spanjolle :

Humanismo y Odio, Cali-Colombie, Universidad del Valle, 2004.

Në gjuhën shqipe përktheu këto vepra të filozofëve francezë, shoqëruar me parathënie:

Denis Diderot, Dialogje filozofike, Rilindja, Prishtinë, 1979.

Henri Lefebvre, Jeta e përditshme në botën moderne, Rilindja, Prishtinë, 1981.

Jean-Paul Sartre, Cështje të metodës, Rilindja, Prishtinë, 1982.

Jean-Paul Sartre, Situatat,(përzgjedhje nga tri vëllimet) 1985.

Roger Garaudy, Mendimi i Hegelit, Prishtinë, 1986.

Franz Fanon, Të mallkuarit e botës, Rilindja, Prishtinë, 1984.

Claude Lefort, Demokracia dhe totalitarizmi, përzgjedhje e teksteve, Dukagjini, 1995.

Jean-François Lyotard, Gjendja postmoderne, Dukagjini, Pejë, 1996.

Emmanuel Lévinas, Etika dhe pafundësia, Dukagjini, Pejë, 2003.

Shkroi parathënie për librat e filozofëve francez të përkthyer në gjuhën shqipe :

Descartes, Ligjëratë mbi metodën, Rilindja, Prishtinë, 1978.

Voltaire, Letra filozofike. Filozofi injorant, Rilindja, Prishtinë, 1986.

Sartre, Ekzistencializmi është humanizëm, Rilindja, Prishtinë, 1989.

Erich Fromm, Ikja nga liria, Rilindja, Prishtinë, 1978.

Vepra të përbashkëta me autorë francezë, anglezë, gjermanë, italianë, spanjollë:

Vukovar, Sarajevo, Seuil, Paris, 1993.

Republika, Evropa dhe Univerzalja (La République, l’Europe et l’Universel), Belfort, 1993.

Mbi ish-Jugosllavinë (Sur l’ex-Yougoslavie), Collège International de Philosophie, Paris, 1993.

Ish-Jugosllavia në Evropë, (L’Ex-Yougoslavie en Europe), L’Harmattan, Paris, 1996.

Ekstremizmat në Evropë (Extrémismes en Europe), C.E.R.A., Paris, 1997 dhe 1998.

Kosova. Një dramë e paralajmëruar (Le Kosovo. Un drame annoncé), Michalon, Paris, 1999.

Mbi çështjen shqiptare në Kosovë (De la question albanaise au Kosovo), Editions Complexes, Bruxelles, 1999.

Të flasësh për kampet, të mendosh për gjenocidet (Parler des camps, penser les génocides), Albin Michel, Paris, 1999

Letra për brezat e ardhshme (Lettres aux générations futures), UNESCO, Paris, 1999, në gjuhën franceze dhe botimi në gjuhën angleze. (Në këtë libër, bashkëautorë janë edhe pesë laureatë të çmimit Nobel : Nadine Gordimer, Tanella Boni, Muc Montanjier, Rita Levy-Montalcini, Adolfo Perez Eskirel, por edhe Richard Rorti dhe Fernando Savater).

Te kuptuarit e konfliktit dhe luftës në Kosovë (Informe sobre el conflicto y la guerra de Kosovo), Ediciones del oriente y del mediterraneo, Madrid, 1999.

Mynxyrat themeluese (Les désastres fondateurs), CRINI, Université de Nantes, 2002.

Kosova, gjashte shekuj të kujtesave te kryqëzuara (Kosovo, six siècles de mémoires croisés), INALCO, Paris, 2001.

Në Evropën juglindore në rindërtim (Ex-Yougoslavie : Une Europe du Sud-Est en reconstruction), L’Harmattan et Forum IRTS, 2002.

(Confini di culture), Fano (Itali), 2002.

Çështja e Kosovës (The Case for Kosova), Anthem Press, London & New York, 2006.

Transformimet e filozofisë (Transformaciones de la filosofía), Cali-Colombie, Universidad del Valle, 2004, ribotimi më 2006.

Humanitas, Universidad Javeriana, Cali-Colombie, 2006.

Nacionalizmat dhe religjionet në Ballkanin perëndimor (Nationalismes et religions dans les Balkans occidentaux), Fondation Robert Schuman, Paris, 2007.

Intelektualët dhe mediat : dialogë lindje-perëndim për demokracinë në Ballkan (Les intellectuels et les médias : dialogues est-ouest sur la démocratie pour les Balkans), l’Université de Montréal (Kanada), 2006.

Botoi artikuj në gazetat «Le Monde», «Libération», «La Croix» etj.