Aktuale

aktuale 1
 

Promovim i botimeve të Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë

Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës do të promovojë të premten, me datë 23 prill 2021, në orën 11, disa nga botimet që kanë të bëjnë kryesisht me kontributet e albanologëve të huaj në studimet e gjuhës, letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Në sallën e madhe të Akademisë, në orën 11 do të promovohen:

- Norbert Jokl, Studime historiko-krahasuese për gjuhën shqipe  / Historisch-Vergleichende untersuchungen über das Albanische (2017) përgatitur nga akademik Rexhep Ismajli dhe prof. dr. Heiner Eichner nga Akademia Austriake

- Norbert Jokl, Gjurmime linguistike historike-kulturore në fushë të shqipes / Linguistisch-Kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen (2019), përkthyer nga Skënder Gashi dhe përgatitur nga Rexhep Ismajli dhe Heiner Eichner.

Gjithnjë në rrjedhën e studimeve dhe kontributeve të albanologëve të huaj për gjuhën, letërsisë dhe kulturës shqiptare, janë realizuar dy botime me kumtesat e pjesëmarrësve në dy konferenca shkencore ndërkombëtare, organizuar nga ASHAK-u, në të cilat morën pjesë një numër i madh studiuesish nga vende të ndryshme të Europës dhe SHBA-të, bashkë me studiuesit shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut:

- Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht / Albanistische Forschungen in den Deutschsprachigen Ländern, dhe

- Studimet albanistike në Itali / Gli studi albanistici in Italia.

Njëkohësisht, me këtë rast, do të përurohet dhe botimi Studime albano-ballkanologjike, i Brian D. Joseph-it, profesor i gjuhësisë në Ohio State University të SHBA-ve, autoritet i shquar në fushë të gjuhësisë historike, specialist i greqishtes, i gjuhësisë ballkanike dhe i shqipes, i zgjedhur anëtar i jashtëm i ASHAK-ut. Studimet e përfshira në këtë botim janë përzgjedhur  e përgatitur për shtyp nga akademik Rexhep Ismajli, përkthyer nga ant. korrespondent Bardh Rugova.

Promovimi do të mbahet konform masave kundër përhapjes së pandemisë covid 19, në sallë do të marrin pjesë të ftuarit, ndërsa për të interesuarit e tjerë do të mundësohet ndjekja e aktivitetit on-line përmes  live-stream-it në vegzën: https://youtu.be/Jcs4D-RmLmo