Aktuale

aktuale 1
 

Përurimi i Leksikonit të vendbanimeve, Vëllimi II, Vendbanimet rurale, A-LL

Më 24 shtator 2019 në mjediset e Akademisë u bë përurimi i Leksikonit të vendbanimeve, Vëllimi II, Vendbanimet rurale, A-LL, në 736 faqe, i ilustruar me foto për objekte të ndryshme gjeohapësinore, të trashëgimisë natyrore e kulturore dhe elemente fizionomike e funksionale. Për botimin folën Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, profesoresha Justina-Shiroka-Pula, kryeredaktori akademik Hivzi Islami dhe recensenti akademik Anton K. Berishaj.

Në përurim morën pjesë anëtarë të Akademisë, ekspertë nga gjeoshkencat dhe shumë të interesuar të tjerë. Në hartimin e këtij botimi u angazhuan dhjetra ekspertë të shkencave gjeohapësinore, sociologë, urbanistë, planerë, ekonomistë, demografë, historianë, etnologë, planerë etj. Botimi përmban të dhëna, fakte dhe informata relevante nga terreni për dimensionin fizik-hapësinor, demografik, funksional, historik, kulturor, ekonomik, gjeopolitik, pastaj të dhënat për dhunën, krimet dhe dëmet materiale që i shkaktoi regjimi fashisoid e gjenocidal i Serbisë  etj.

Botimi pa dyshim do të përmbushë një nevojë të kahershme për gjeoshkencat, shkencat sociale dhe opinionin e gjerë lexues dhe do të jetë një trashëgimi e madhe për shkencën dhe kulturën tonë.

Botimi do të shpërndahet në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, në librari dhe biblioteka dhe mund të blihet edhe në librarinë e Akademisë.