Aktuale

aktuale 1
 

Vizitë e liderëve të Luginës së Preshevës, z. Shaip Kamberi dhe znj. Ardita Sinani në ASHAK

Kryetari i komunës së Bujanocit, z. Shaip Kamberi dhe ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, sot i bënë një vizitë Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Me atë rast e njoftuan kryetarin e Akademisë, akademik Hivzi Islamin dhe sekretarin e Seksionit të Shkencave Shoqërore, akademik Jusuf Bajraktarin, për rrjedhat shoqërore dhe politike të Luginës dhe problemet me të cilat po ballafaqohen shqiptarët e Luginës, të diskriminuar në vazhdimësi në të gjitha aspektet nga regjimi i Beogradit. Ata ngritën disa çështje shqetësuese: mosrealizimi i kërkesave politike, ngecja në zhvillim ekonomik e social, shpërnguljen e shqiptarëve dhe tendencat për një valë të fuqishme të paralajmëruar të kolonizimit të Luginës me serbë nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe viset e tjera. Kërkuan një mbështetje në rrafshin shkencor nga Akademia për trajtimin e Luginës dhe pozitën e rëndë të shqiptarëve atje, e cila nuk dallon nga koha e Millosheviqit.
Udhëheqësit e Akademisë e njoftuan delegacionin e Luginës së Preshevës për punën, rezultatet dhe planet e Akademisë, hapjen e saj ndaj institucioneve akademike dhe shkencore-kërkimore në rajon dhe në Evropë. I premtuan delegacionit se do ta mbështesin Luginën në planin shkencor, ashtu siç e kanë mbështetur deri tash, me tri botime shkencore, duke u bërë kështu Lugina një nga trevat shqiptare më të hulumtuara e më të studiuara.

Prishtinë
21.11.2017