Aktuale

aktuale 1
 

Njoftim për opinion i vizitës së Zv/Kryeministrit Enver Hoxhaj në ASHAK

Zv/Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, prof. dr. Enver Hoxhaj, sot i bëri një vizitë Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kryetari i ASHAK-ut, akademik Hivzi Islami, e njoftoi Zv/Kryeministrin për veprimtarinë e Akademisë, për rrjedhat e punës, rezultatet dhe problemet në kushtet e reduktuara financiare, si në aspektin e vijave buxhetore për zhvillimet në shkencë dhe hulumtime në përgjithësi në Kosovë, ashtu dhe në aspektin e buxhetit të rezervuar për veprimtaritë e ASHAK-ut. Kryetari i Akademisë e njoftoi z. Hoxhaj edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe hapjen e Akademisë ndaj hapësirës akademike dhe kërkimore-shkencore, nënshkrimin e shumë marrëveshjeve të bashkëpunimit me akademitë simotra në rajon dhe në Evropë. Para dy javëve, Akademia jonë, në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit të Akademive Ndërkombëtare në Tokio, u bë anëtare e rregullt e tij, me të gjitha të drejtat. Kryetari Islami e njoftoi Zv. Kryeministrin për projektet afatshkurte, afatmesme dhe afatgjata të Akademisë.

Z. Hoxhaj, shprehu vlerësimin e tij të lartë për Akademinë dhe gadishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të mbështesin punën dhe veprimtarinë e Akademisë, e cila gjithnjë po zgjerohet, duke mirëpritur angazhimin e kësaj themelate dhe të institucioneve të tjera shkencore në të gjitha çështjet e zhvillimeve në Republikë, pa e lënë anash edhe Luginën e Preshevës. Interesimi i z. Hoxhaj u përqendrua kryesisht në bashkërenditjen e punëve të Akademisë me institucionet e tjera në Kosovë, në hapësirën shqiptare dhe në Evropë në sferën e hulumtimeve shkencore. Veçanërisht i shprehu mirënjohje Akademisë për integrimin e saj në institucionet relevante akademike dhe shkencore në rajon dhe në Evropë dhe më këtë në afirmimin e Kosovës në suaza ndërkombëtare.

Prishtinë
13.11.2017