Aktuale

aktuale 1
 

Njoftim - Raport nga pjesëmarrja në Kongresin e Studimeve të Europës Juglindore të mbajtur në Sofje më 31 gusht - 4 shtator 2015

Në kuadër të veprimtarive të Kongresit të 11 të Studimeve të Europës Juglindore, të mbajtur në Sofje (31 gusht – 4 shtator 2015), “Komiteti i Kosovës për Studime të Europës Juglindore” me seli në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u pranua anëtar me të drejta të plota i Asociacionit ndërkombëtar të Studimeve të Europës Juglindore (A.I.E.S.E.E.).
Kërkesën për pranim në këtë Asociacion Komiteti i Kosovës, i themeluar sipas modelit të Komiteteve të tjera anëtare të këtij Asociacioni në Konferencën Shkencore “Shqipja dhe gjuhët e ballkanit – Albanian and the Balkan languages” më 2011, e kishte bërë në shkurt të vitit 2012. Pranimi si vëzhgues ishte konfirmuar qysh atëherë, porse pranimi për anëtar me të drejta të plota mund të bëhej vetëm në mbledhjen e Asamblesë gjatë Kongresit të Asociacionit. Kërkesa e Komitetit të Kosovës u paraqit në Bordin ekzekutiv të Komitetit Ndërkombëtar të Asociacionit nga akademik R. Ismajli, ndërsa pas diskutimeve në Bord, u vendos të procedohej më tej në Asamble, ku pranimi u bë me pajtim të plotë. Në këtë Kongres dhe lidhur me kërkesën për pranim mori pjesë grupi: akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK-ut; akademik Rexhep Ismajli, kryesues i Komitetit të Kosovës dhe prof. dr. Bardh Rugova, sekretar. Komitetin e Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar e përfaqëson akademik Rexhep Ismajli.
Më 1963 në Bukuresht u themelua Asociacioni Ndërkombëtar i Studimeve të Europës Juglindore (AIESEE) me mbështetjen morale dhe financiare të UNESCO-s, thuhet në historinë zyrtare të Aso­ciacionit. “I konceptuar si organizëm ndërkombëtar joqeveritar, i mbështetur në aktivitetet e tij nga UNESCO, AIESEE synon promovimin e studimit të qytetërimeve të përhapura në Ballkan dhe në hapësirat e Europës Juglindore, të raporteve të tyre me qytetërimet e tjera të Europës apo të pjesës tjetër të botës,  të pjesëmarrjes së tyre në trashëgiminë kulturore të botës, duke e kthyer kështu këtë studim në mjet për të arritur paqe e miqësi, përtej varietetit të ideologjive dhe regjimeve politike. Gjuhë zyrtare e Asociacionit është frëngjishtja, por si gjuhë komunikimi pranohet po ashtu anglishtja. Në kohë të takimeve shkencore pranohen dhe gjuhë të tjera ndërkombëtare. Sa i përket fushës së interesimit AIESEE ka zgjedhur domenin e gjerë të shkencave humane: histori, arkeologji, etnografi, gjuhësi, filologji, folklor, arte, drejtësi, etj.”.
Sipas historisë së hartuar zyrtarisht më 2009, anëtarë të AIESEE-së janë komitetet nocionale për studimet ballkanike dhe të Europës Juglindore të vendeve: Austria, Britania e Madhe, Bullgaria, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Japonia, Libani, Mali i Zi, Polonia, Qipro, Repu­blika Çeke, Republika e Maqedonisë, Republika e Moldavisë, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Spa­nja, Shqipëria, Turqia dhe SHBA.
“Çdo kryetar i komitetit kombëtar është anëtar i Komitetit ndërkombëtar të AIESEE-së,” thotë rregullorja.
Nga viti 1966 janë mbajtur këto kongrese të AIESEE-së: 1. Sofia – 1966; 2. Athinë – 1970; 3. Bukuresht – 1974; 4. Ankara – 1979; 5. Beograd – 1984; 6. Sofia – 1989; 7. Selanik – 1994; 8. Bukuresht – 1999; 9. Tiranë – 2004; 10. Paris – 2009; 11. Sofia – 2015.