Aktuale

aktuale 1
 

Njoftim - Vdiq akademik Engjëll Berisha

Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot më 15 shkurt 2015 pas një sëmundjeje të shkurtër, vdiq në Prishtinë akademik Engjëll Berisha, njëri ndër muzikologët më të njohur shqiptar. Vdekja e Engjëll Berishës është humbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, për Akademinë dhe për kulturën dhe artin shqiptar.

Engjëll Berisha lindi më 1934 në Prizren. Mësimin fillor dhe të mesëm, protogjimnazin dhe shkollën e mesme të muzikës, i  kreu në Prizren. Studimet e larta për teori të muzikës i kreu në Akademinë e Muzikës në Beograd, për t’u kthyer në vendlindje, ku për vite me radhë punoi si pedagog i lëndëve teorike e praktike në Shkollën e Mesme të Muzikës, në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Prizrenit. Ka punuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe Akademinë e Arteve (sot Fakulteti i Arteve). Ka studiuar për muzikologji në Lubjanë, ndërsa studimet pasuniversitare në Histori të muzikës dhe Muzikologji i ndoqi në Sarajevë ku u laurua  magjistër i parë shqiptar në muzikologji. në dhe në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet muzikore me rëndësi për artin dhe kulturën shqiptare. Ishte anëtar i Redaksisë së Leksikonit të muzikës së Jugosllavisë. Në vitin 2008 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte sekretar i përgjithshëm i saj.

Engjëll Berisha krahas punës së pedagogut botoi edhe shumë shkrime e publikime nga fusha e historisë së kulturës muzikore, para së gjithash, nga ajo shqiptare, por edhe të kulturës muzikore dhe historisë botërore..

Mbledhja komemorative mbahet në orën 10:00, ndërsa homazhet në nderim të akademik Engjëll Berishës do të bëhen deri në orën 11:00 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në Prizren në orën 14:00.

Sekretarja e Akademisë
Lendita Pula