Aktuale

aktuale 1
 

Njoftim: Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Akademive të Kosovës dhe Maqedonisë

Prishtinë, 11 mars 2014 - Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit në fushat e shkencave dhe arteve. 

Marrëveshja u nënshkrua në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nga Kryetari i ASHAK-ut, Akademik Hivzi Islami dhe Kryetari i Akademisë së Maqedonisë Akademik Vlado Kambovski.

Para ceremonisë së nënshkrimit u zhvillua takimi në mes të udhëheqjes së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe delegacionit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.

Kryetari i MANU-së, Akademik Vlado Kambovski, shoqërohej nga Nënkryetari, Akademik Lupço Kocarev, Sekretari, Akademik Gjorgji Stardellov, dhe Akademikët Alajdin Abazi e Luan Starova, dhe nga Ambasadori i Maqedonisë në Kosovë, H.E. Stojan Karajanov. 

Format e bashkëpunimit ndërakademik mes tjerash do të jenë përmes modaliteteve: takime bilaterale shkencore, simpoziume, konferenca dhe seminare pune, si dhe aktivitete në fushën e arteve që mbulohen nga Palët; shkëmbim të shkencëtarëve; shkëmbim të informacioneve dhe publikimeve; mbajtje të ligjëratave; dhe aktivitete të tjera – nëse është e nevojshme – sipas pas marrëveshjes ndërmjet të dy palëve.

Shërbimi profesional i Akademisë