Aktuale

aktuale 1
 

Ligjeratë e prof. dr. Günter Stock, me temë: "VEPRIMTARIA E ALLEA-s DHE BASHKËPUNIMI NDËRAKADEMIK"

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, organizoi ligjëratë të prof. dr. Günter Stock, me temë:

"VEPRIMTARIA E ALLEA-s DHE BASHKËPUNIMI NDËRAKADEMIK".

Akademik Günter Stock është Kryetar i Federatës së Akademive Europiane (All European Academies, ALLEA), Kryetar i Akademisë së Shkencave Ekzakte dhe Shoqërore Brandenburg të Berlinit dhe Kryetar i Unionit të Akademive Gjermane të Shkencave Ekzakte dhe Shoqërore. 

Ligjërata u mbajt në gjuhën angleze me përkthim në gjuhën shqipe. Të premten, më 30 gusht 2013, në orën 11:00, në sallën solemne të Akademisë.

KUMTESË
KRYETARI I FEDERATËS SË AKADEMIVE EVROPIANE VIZITON ASHAK-un    

Kryetari i Federatës së Akademive Evropiane (All European Academies - ALLEA), prof. dr. Gynter Shtok [Günter Stock] ka qëndruar për vizitë zyrtare në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) më 29-30 gusht.   

ALLEA është federatë e 55 akademive të shkencave dhe të arteve nga pothuaj të gjitha vendet e Evropës, 40 prej tyre anëtare të Këshillit të Evropës. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) është anëtare e ALLEA-s që nga viti 2004.    

Dje dhe sot, Kryetari i ALLEA-s është pritur nga Kryetari i ASHAK, akademik Hivzi Islami, me bashkëpunëtorë dhe ka zhvilluar vizita e takime njohëse me anëtarë të tjerë të ASHAK-ut.  Akademik Islami e ka njoftuar z. Shtok me punën dhe veprimtarinë e Akademisë dhe me projekte të veçanta shkencore e hulumtuese që realizohen nga anëtarët dhe bashkëpunëtorët e Akademisë. 

"Vizita e z. Shtok na inkurajon për thellimin e bashkëpunimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës me Federatën e Akademive Evropiane dhe me akademitë e vendeve të Evropës," ka deklaruar Akademik Islami.

Të premten paradite, kryetari i ALLEA-s, Gynter Shtok, është pritur te Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi.

Më vonë,  Kryetari i ALLEA-s ka mbajtur një ligjëratë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me titull "Roli i Akademive gjatë historisë -- Përgjegjësit dhe Parimet e Akademive në të Kaluarën dhe sot",  të cilën e ndoqën anëtarët e Akademisë dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve shkencore e arsimore të vendit.

"Akademitë janë promotorë të ndryshimeve dhe zhvillimit të përgjithshëm shoqëror dhe ato tregojnë se kah po shkojnë dhe kah duhet të shkojnë këto ndryshime," Dr. Shtok theksoi në fillim të ligjëratës së tij.  

Pas prezantimit te historikut të akademive,  Kryetari i ALLEA-s tha se disa nga parimet themelore të akademive kanë mbetur të pandryshuara, siç janë: cilësia kulmore, pavarësia, autonomia dhe autoriteti. "Cilësia dhe pavarësia janë të ndërlidhura ngushtë" tha ai. 

"Lufta për autonominë e akademive dhe pavarësinë e tyre nga politika dhe nga pushteti ka filluar që në kohën e akademisë së parë, Akademinë e Platonit. Raportet mes politikës dhe akademive kanë mbetur pothuaj të pandryshuara qysh prej Akademisë së Athinës, e cila ishte mbyllur nga Perandori Justinian," theksoi Shtok.

"ALLEA nuk është Evropa politike, por, do të thosha, është Evropa intelektuale. Ajo nuk merret me politikën, ndonëse bashkëpunon me politikat e vendeve evropiane, në mënyrë që të ushtrojë ndikimin e vet në politikat për akademitë dhe për dijen përgjithësisht.  Ne në ALLEA i kemi respektuar kushtet dhe rrethanat në të cilat ka vepruar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në kohët e saj më të vështira", tha kryetari i ALLEA-s.

"Pavarësia dhe autonomia janë parakusht për dije. Ka pasur shumë vende në të cilat nuk është respektuar autonomia e akademive dhe më vonë është dëshmuar se në ato vende kanë munguar rezultatet shkencore, ka munguar dija", shtoi ai.

Duke folur për pranimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në ALLEA më 2004,  kryetari i kësaj federate tha se ASHAK-u është "simbol i guximit dhe parimeve".

Ai tha se ASHAK-un e kanë karakterizuar "solidaritet dhe përkrahje për anëtarët e Akademisë gjatë kohëve më të vështira (organizimi pa përkrahje institucionale gjatë viteve të '90-ta," dhe "dëshmia se edhe në kohën kur liria akademike ngushtohet , idetë dhe mendimet nuk mund te ndrydhen".

"ASHAK, sipas statutit, ka autonomi të plotë prej politikës dhe pushtetit, pavarësisht përpjekjeve të kohëpaskohshme të pushtetit për ndërhyrje", tha Shtok.  

Dr. Shtok tha se sfidat e sotme nuk dallojnë shumë nga sfidat e djeshme, siç është globalizmi, energjia, ambienti, etj.  Akademitë sot duhet të bashkohen për të përballuar këto sfida, theksoi ai.

Kryetari i ALLEA-s përkujtoi se në disa vende të Evropës ka pasur përpjekje nga pushteti për të ndikuar në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të akademive apo të udhëheqjeve të tyre, apo në imponimin e rregullave të paracaktuara nga pushteti.

Ai e ilustroi këtë me rastin e Turqisë, ku po hartohet një ligj i ri për akademinë, i cili, siç tha Dr. Shtok,  mund të cenojë pavarësinë e akademisë.  "Ne i kemi shkruar presidentit Gyl dhe kemi shprehur shqetësimin tonë. Deri më tash nuk kemi marrë ndonjë përgjigjje nga presidenti për shqetësimin tonë, por letra jonë ka hasur në reagime të fuqishme pozitive të institucioneve të shkencës e dijes dhe të shoqërisë civile", tha ai.

"Tani e kemi edhe rastin e Akademisë së Rusisë, njërës ndër akademitë më të vjetra të Evropës. Edhe atje presidenti Putin po harton një ligj për akademinë, me të cilin ajo mund të vihet nën kontrollin e politikës dhe të pushtetit. Ne do të shkojmë në Moskë dhe do të përpiqemi të bindim autoritetet ruse se pa autonomi të akademisë nuk ka dije", thekoi Shtok.

Kryetari  i ALLEA-s, Gynter Shtok, ka folur edhe për një numër aspektesh të rëndësishme për promovimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe dijes së kosovarëve. Ai ka falënderuar në veçanti Akademik Rexhep Ismajlin për punën e tij në zgjerimin e bashkëpunimit me akademitë evropian dhe kontributin e tij për realizimin e vizitës së tij në Prishtinë.

****

Shënim i shkurtër biografik për kryetarin e ALLEA-s

Prof. Dr Günter Stock është Kryetar i Akademisë së Shkencave Bradenburg të Berlinit dhe Kryetar i Unionit të Akademive Gjermane të Shkencave Ekzakte dhe Shoqërore

Gjatë viteve 1980-1983 ka që qenë profesor i fiziologjisë në Universitetin e Hedelbergut. Më vonë iu bashkua kompanisë Schering (tani kompania farmaceutike Bayer). Më 1987 u zgjedhur shef i Institutit të Farmacisë  së Bayer-it ndërsa nga viti 1989- deri 2005 ka qene anëtar i bordit ekzekutiv të Bayer-it.

Stock është anëtar i Akademisë së Shkencave Bradenburg të Berlinit nga viti 1995. Në vitin 2006 është zgjedhur kryetar kësaj akademie dhe është  rizgjedhur në vitin 2010.  Ai po ashtu është Senator i Akademisë Kombëtare Gjermane të Shkencave Ekzakte dhe Shoqërore, Leopoldina, anëtar i Akademisë Kombëtare Gjermane të Shkencës dhe Inxhinierisë, dhe anëtar i Asociacionit Evropian të Shoqërisë së Dijes. 

Nga viti 2008 është kryetar i Unionit të Akademive Gjermane të Shkencave Ekzakte dhe Shoqërore.   Në këtë post është rizgjedhur në vitin 2010.  Ai ka kryer një numër të madh funksionesh në organet kyçe të shkencës në Gjermani përfshirë Wissenschaftsrat (1992-2006), Këshilli për Hulumtim, Teknologji dhe Inovacion i Dhomës Federale (1996-1998), Max-Planck-Society (nënkryetar 2001-2011), ndërsa nga viti 2001 është anëtar i Bordit të Trustit të Fondacionit Gjerman për Hulumtime. 

Më 2006 ai është dekoruar me medaljen për merita të Republikës Federale Gjermane.  Në prill të vitit 2012 është zgjedhur Kryetar i Federatës së Akademive Evropiane.