Aktuale

aktuale 1
 

In Memoriam: Ali Podrimja

Me tronditje dhe dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e parakohshme të poetit emblematik të letërsisë shqipe, akademikut Ali Podrimja. Vdekja e tij është humbje e madhe për familjen, për të gjithë miqtë e tij të shumtë, për lexuesit që e deshën dhe e çmuan, për Akademinë dhe për të gjitha institucionet e Kosovës, për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Poezia e Ali Podrimjes për më shumë se gjysmë shekulli ishte zëri identitar i Kosovës, zëri që artikuloi dhembjen dhe shpresat e Kosovës, idealet dhe synimet e saj. Ali Podrimja shkroi për Kosovën e vuajtjeve dhe të brengave, për Kosovën e shpresave të mëdha, për Kosovën e idealeve të lirisë. Ai ishte poeti që diti të sublimojë në veprën e tij të gjitha shqetësimet e një kohe dhe të një epoke. Epoka e Kosovës dhe epoka e shqiptarëve të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI ishte edhe epoka e Ali Podrimjes. Zëri i tij ishte i veçantë, i papërsëritshëm në poezinë shqipe, ishte zë që shprehte qenësinë e qëndresës dhe mbijetesës së popullit tonë. Ideali i tij poetik dhe ideali i tij intelektual ishin pasioni i pashuar për liri dhe dinjitet njerëzor.
Me vdekjen e Ali Podrimjes, Kosova mbeti pa poetin e saj, i cili si askush tjetër njohu dhe artikuloi dhembjen e saj. Vargu i tij “Kosova është gjaku im që nuk falet” thotë atë që nuk e tha askush tjetër për popullin dhe për vendin e tij.
Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së akademikut Ali Podrimja, si dhe të gjithë miqve dhe adhuruesve të tij.

(Pjesë e Deklaratës me rastin e marrjes së lajmit për vdekjen e akademik Ali Podrimjes).